Ilir Meta duhet hetuar dhe ndëshkuar deri në fund nga ky Kuvend dhe reagimi ynë ndaj tij si deputetë të këtij Kuvendi duhet të jetë frontal, përtej dallimeve tona politike, dhe në emër të Kushtetutës dhe demokracisë parlamentare”. Me këto fjalë, Kryeministri Edi Rama kërkoi votën e të gjithë deputetëve pa dallime partiake, për ngritjen e Komisionit Parlamentar për shkarkimin e Presidentit Meta.

Ilir Meta nuk është më thjeshtë kundërshtar i njohur i qeverisë, ai sot është armiku i hapur i Kushtetutës së Shqipërisë. Nuk është më thjeshtë frymëzuesi i ofensivës destruktive kundër zgjedhjeve të drejtësisë, ai sot është armiku i deklaruar i vetë parlamentit të Shqipërisë. Nuk është më thjeshtë politikani i frikësuar deri në palcë nga reforma në drejtësi, ai sot është vetë shëmbëlltyra e tërbimit të të tremburve nga drejtësia, i cili edhe me shtrirjen e rrezes së agresionit të tij mbi miqtë, partnerët amerikanë dhe evropianë, na turpëron të gjithëve, deputetë, qytetarë dhe popull.

Rama tha se Meta faktikisht një aset i vyer politik i kësaj shumice, por si mazhorancë janë të detyruar të mos e lejojnë të gabojë më tej.

“Me atë lloj figurine kërcënuese në presidencë, edhe më të pakënaqurit ndaj nesh do të trembeshin ta çonin votën gjetkë pas dy vjetësh. Ndërsa ne do të ishim shumë më të tolerueshëm në gabimet tona, pasi krahasuar me atë shëmbëlltyrë kuptimplotë destruktiviteti opozitar në presidencë, do të dukeshim lule në sytë e gjykatësit popull. Mirëpo, ne jemi të ndaluar ta përdorim kryetarin e shtetit si një gogozhel për të trembur zgjedhësit e pakënaqur ndaj nesh dhe jemi të detyruar ta ndalojmë Ilir Metën të gabojë më tej. Sepse për ne, dinjiteti i këtij shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak.”

Kryeministri Rama foli këtë të hënë në parlament, ku deputetët po diskutojnë në një seancë të posaçme për të votuar ngritjen e Komisionit Parlamentar që do të hetojë shkeljet e pretenduara të Kushtetutës nga ana e Presidentit Meta.

Kreu i ekzekutivit në vijim pyeti se si mund të ketë Shqipëria sot një President që sulmon ambasadat e BE-së dhe SHBA-ve.

Si mund të ketë Shqipëria e sotme, vend në NATO dhe kandidat për në BE, një kryetar shteti, që duket si një aktor komik që imiton Presidentin e Republikës? Një kryetar shteti, që kur flet seriozisht të bën për të qeshur dhe kur flet për të qeshur, të bën për të qarë. Një kryetar shteti që e përfytyron veten një Vojo Kush me kravatë mbi çatinë e Ambasadës së BE, dhe që e imagjinon ambasadën amerikane si topin ku vendos gjoksin e tij prej Mic Sokoli me kostum banjoje.

Dy fjalë edhe për sfidën e Metës lidhur me një test të shëndetit mendor, që ai bëri në një konferencë për shtyp, me kushtin që të njëjtit test t’i nënshtrohej edhe Rama.

Si mund të ketë Shqipëria e sotme një kryetar shteti që arrin të thotë në konferencë për shtyp, se është gati të përballet me testin e shëndetit mendor. Çka në fakt nuk ia ka kërkuar askush, edhe pse askush nuk ka mbetur pa pyetur veten se mos vallë ky njeri është i ikur nga mendja e kokës. Por kjo pyetje nuk çon askund, madje mund të çojë në drejtim të gabuar./tvklan.al