Segmenti i parë i Bulevardit të Ri të Tiranës hapet për të gjithë kalimtarët dhe automjetet më 17 qershor. Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj inspektuan punimet për ndërtimin e Bulevardit të Ri, si dhe për parkingun nëntokësor, një ndër projektet më të rëndësishme strategjike të Bashkisë së Tiranës, i cili pritet që të ketë një impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët dhe komuniteti i biznesit.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi stafin e angazhuar me këtë projekt për cilësinë dhe ritmin e punimeve, duke i dhënë qytetit një mundësi të re për zhvillimin e tij.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se pas 100 vitesh, Tirana do të ketë bulevardin e parë modern, i cili do të jetë i kuruar në të gjitha detajet. “

Parkimi te sheshi “Skënderbej” fillon shlyen veten, pastaj mbas dy vitesh punon për të shlyer sheshin. E njëjta gjë për këtë. Për dy vjet shlyen veten, pas dy vjetësh fillon shlyen borxhin e bulevardit. T’i japim një kolpo përpara se ta hapim në datën 17. Shumë njerëz do vijnë prej kuriozitetit të shohin sesi ka përfunduar bulevardi i parë modern i Tiranës mbas 100 viteve. Shumë të tjerë do vijnë prej nevojës, për çështje të parkimit. Me të mbaruar punë këtu, pastaj do fokusohemi te parku qendror dhe tek pjesa e fundit, edhe tek shpronësimi i 200 metrave të fundit, por pjesa e parë do jetë tashmë funksionale

.”

Një vend të rëndësishëm projekti ka parashikuar për këmbësorët, të cilët do të kenë mundësi të shfrytëzojnë hapësirat me gjelbërim. Projektuesja e tij u shpreh se: “Shumica e projektit është  i konceptuar vetëm për këmbësorët, me gjelbërim dhe nënkalime të ngritura për ta.”

Kryeministri Rama vlerësoi punën me standarde të bërë në këtë drejtim që do të hapë rrugën një zhvillimi të ri:

“Është një punë me standarde absolutisht europiane nga të gjitha pikëpamjet. Është një përthyerje apo një pasqyrë e kundërt me atë të sheshit. Sheshi është një qilim artizanal i kuruar në çdo gur si një mozaik i papërsëritshëm, ndërsa këtu kemi një qilim industrial, por që padiskutim falë punës me shumë cilësi, jam i bindur që shumë shpejt do t’i hapë rrugë një zhvillimi të ri. Më e rëndësishmja është që duke qënë me këto standarde do ta influencojë jashtëzakonisht shumë edhe zhvillimin e godinave në të dyja anët, me standarde.

Projekti i Bulevardit Verior dhe Parkut Qendror të Tiranës do e transformojnë të gjithë këtë zonë prej gjendjes së saj aktuale, si një hapësirë e lënë në harresë, në arterien kryesore të zhvillimit të qytetit për shekullin në vijim. Një komponent i rëndësishëm është edhe ndërtimi i parkimit nëntokësor ku për herë të parë do të ketë pikë të karikimit të makinave elektronike. “

Ne jemi gati të hapim 500 metrat e para, parkingun nëntokësor për 307 makina që zgjidh gjithë ngërçin e trafikut tek zona e stacionit të trenit. Ndërkohë që po bëhet plani i zhvillimit për të gjithë kërkesat që do jenë. Kryesisht kemi kërkesa për ndërtesa komerciale. Gjerësia është 70 metra, kemi vazhduar me gjelbërimin, kanalizimet, tunelet nëntokësore deri në bregun e lumit. Kjo është hera e parë që ne aplikojmë një sistem ku korsitë e biçikletave dhe këmbësorët futen në brendësi dhe jo në buzë të rrugës.”

– u shpreh kryetari Veliaj./tvklan.al