Kryeministri Rama shprehet besimplotë se investimet e qeverisë në qarkun e Beratit do të ndryshojnë cilësinë e ofertës turistike në këtë qytet. Një ndër to edhe kthimi i sheshit në pedonale që sipas Ramës pritet t’i japë një shtysë të re ekonomisë dhe profilit turistik të qytetit të “një mbi një dritareve”.

Pa harruar nuk la edhe porositë e fundit, që synojnë krijimin e një tip hotelerie që do të shërbejë si pikë orientimi për turistët.

“Struktura e re e hotel Tomorit është kryevepër, rikonceptohet në funksion të gjithë kësaj. Është shumë e vlefshme që të krijohet një tip hotelerie, do jetë një pikë orientimi për turistët. Do krijojë një marrëdhënie për të gjithë këtë hapësirë këtu. Gjëja që më ra goja mua, besoj se nuk e ke harruar restaurimi ose prekja unifikuese e këtyre fasadave edhe e atyre të rejave që s’kanë si prishen qoftë dhe me ngjyrë e bardhë të Beratit që është karakteristike. Aty do ketë vetëm gurë ngjyrë të bardhë dhe çati. S’duhet të ketë nga ato lajle-lulet.”

Pjesë e inspektimit ishte edhe rruga e re e Kalasë së Beratit, ku Rama nuk la pa thumbuar edhe kryebashkiakun Demo.

Ervin Demo: Ajo (rruga) shkurton goxha akses!

Edi Rama: I di të gjitha këto, por ju prurjet e reja nuk keni durim, ju doni të gjitha menjëherë.

Godina e re e zjarrfikëses është një tjetër investim në këtë qytet. Rama tha se me përfundimin e këtyre projekteve do të nxitet edhe numri i turistëve, që sipas kreut të qeverisë do të shënojnë  rritje pas përfundimit të pandemisë.

“Presim vetëm fundin  e pandemisë dhe do kemi numra turistësh të shumëfishuar.”

Rama pa nga afër edhe punimet në By Passin e Beratit, nga ku nuk nguroi të atakojë paraardhësit e tij në qeveri. Gjatë vizitës në Qarkun e Beratit, kryeministri dhe Ministri Blendi Klosi u ndalën edhe në Urën Vajgurore ku pa nga afër fazën e dytë të transformimit të zonës përgjatë lumit Osum, në të cilën është menduar edhe ngritja e një pike prodhimi për produkte ushqimore bio.

“Është me rëndësi që të bëhet ajo pika e prodhimeve, pasi i jep një dimension tjetër të gjithë zonës”,

Sipas Kryeministrit falë ndërhyrjeve në lumin Osum, asnjë centimetër tokë nuk u përmbyt nga reshjet e shiut.

Tv Klan