“Për nga investimet jeni shumë afër me Korçën“
Në Pogradec qeveria shqiptare po zbaton një nga projektet më të rëndësishme transformuese urbane që pritet t’i japë një hov tjetër zhvillimit turistik të zonës. Bëhet fjalë për projektin e integruar të shëtitores, Parkut të Drilonit dhe rrugës së aksesit deri në pikën doganore të Tushemishtit, punimet e së cilit u inspektuan nga Kryeministri Edi Rama.
“Një është projekti që është financuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan, që ka të bëjë me gjithë pjesën e Drilonit brenda. Projekti i dytë që është komplementar me të, është shëtitorja e Tushemishtit së bashku me molet dhe pasarelën dhe rrugën e aksesit deri në pikën doganore të Tushemishtit, është dhe bypass-i i Tushemishtit”, thotë drejtori i FSHZH Dritan Agolli.
Projekti transformues, jo vetëm ngre në një tjetër standard infrastrukturën në tërësi, por edhe sjell risi arkitekturore.
“Dy janë mole që mund të ankorohen varkat dhe dy të tjerat janë mole për turistët, për vizitorët. Ajo që është e rëndësishme është dhe një pasarelë, futet në liqen, ecën nëpër liqen dhe lidhet prap me molin tjetër që ka për të qenë një rrugë që njerëzit të mund të ecin në liqen”, thekson Agolli.
Jo vetëm vija liqenore, por edhe parku i Drilonit po pëson një transfomim të madh, ndërsa falë këtij investimi do të shumëfishojë sipërfaqen e tij.
“Sipërfaqja ku shtrihet shëtitorja e Tushemishtit dhe Parku i Drilonit do të shumëfishohet në 150 hektarë, e gjitha në funksion të turizmit, me 13 ura të reja, shëtitore, korsi biçikletash, 8 mijë pemë të mbjella, 5 km gjatësi e lundrueshme me varkë, do të ketë 3 parkime me 550 vende për automjete”.
Për Kryeministrin Rama, me këto investime Pogradeci për nga vlera e financuar është në konkurrencë me Korçën.
Gjatë qendrimit të tij në Pogradec, Kryeministri u ndal për të parë nga afër edhe ambientet e dy shkollave të reja, investim i qeverisë në bashkëpunim me Bashkinë e Pogradecit.
Tv Klan