Kalaja e Ali Pashë Tepelenës po zbulohet dita-ditës falë projekteve restauruese që kanë bërë të mundur kthimin e saj në identitet. Së shpejti, me nisjen e fazës së dytë, do të kthehen në identitet edhe shtëpitë e qytetarëve. 

Restaurimi i gjithë hapësirës së Kalasë do ta kthejë atë në një atraksion turistik dhe burim fitimi për individët, komunitetet e për ekonominë kombëtare. Kryeministri Rama inspektoi  ecurinë e punimeve në kalanë historike të Ali Pashë Tepelenës, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.

“Sfida është që pas gjithë infrastrukturës që është sistemuar, të fillojmë ndërhyrjen e brendshme. Projekti është gati, që shtëpitë brenda të fillojnë të kthehen në objekte të integruara, pa i prekur nga ana e hapësirave të jetueshme, por duke e bërë ndërhyrje që i sjellin në një formë që e kthejnë kalanë në një atraksion fantastik nga pikëpamja arkitektonike, me elementë tradicionalë, por dhe modernë. Kjo do jetë një perlë që do kthehet në një resort turistik, por i banorëve që këto shtëpi do t’i kthejnë në struktura mikpritje, në bujtina të vogla”, u shpreh Kryeministri Rama. 

Me përfundimin e projektit transformues të kalasë, edhe vlera e shtëpive apo bizneseve që operojnë në zonë do të rritet. Kryeministri, teksa përshkoi në këmbë rrugët e kthyera në identitet të kalasë, u ndal të bisedonte me banorët që jetojnë aty. “Jam i kënaqur me punën. Duhet t’i lëmë diçka të mirë të rinjve”, u shpreh një nga qytetarët. 

Projekti synon ndërhyrje në mbrojtje të origjinalitetit dhe historisë, që kalaja të rimarrë vlerat e saj historike dhe të bëhet e vizitueshme nga turistë vendas dhe të huaj.

“Pasi është bërë infrastruktura, tani do heqim këto shtylla e tela dhe gjithë sistemi i OSHEE-së do shkojë nëntokë. Projekti për fazën e dytë është bërë gati. Po ashtu do heqim gardhet e muret e do t’i vendosim elementë tradicionalë. Ideja është të mos prishim asnjë shtëpi. Ato do qëndrojnë siç janë, do legalizohen e ndërkohë do bëhen ndërhyrjet me fondet tona, për t’i kthyer në një lloj uniformiteti e për t’i dhënë një karakteristikë edhe pjesës së brendshme”, tha Kryeministri Rama.​/tvklan.al