“Lidhim Tepelenën me Himarën për një orë”

E premtuar që në kohën e Presidentit Ramiz Alia, aksi malor Gusmar -Kuç pritet të jetë gati prillin e vitit të ardhshëm.

Punimet për këtë rrugë së bashku me segmentin e tretë të Lumit të Vlorës u inspektuan nga Kryeministri Rama.

 “Kur na tha një nga këta që na tha mos e bëj edhe ti si Ramiz Alia, mu duk habi se që atëherë ishte thënë sa herë vinin për brigadë, unë për brigadë s’kam ardhë ndonjëherë, por për rrugën erdha”.

Dy kantierët e rinj do të lidhin Tepelenën me bregun e Himarës brenda një ore për këdo që dëshiron të verojë apo dimërojë në këtë zonë, një ndër më spektakolaret e natyrës shqiptare.

 “Kjo është fantastike, suedezët që po bëjnë investime në Nivicë me ata që kur kemi fol thanë a është e sigurtë që do lidhet Nivica me bregun se po u lidh që do jetë një nga historitë më të bukura të suksesit të kompanive tona. Ata e shihnin dhe thonin si se keni bërë këtë”.

Kuçi është pjesë e programit kombëtar për zhvillimin e 100 fshatrave, ku krahas bujtinave zona përreth pritet të kthehet një ndër më të zhvilluarat në agroturizëm.

 “Unë mendoj që kjo do jetë një nga zonat më të zhvilluara të agroturizmit ku transformimi i shtëpive të vjetra në bujtina do lulëzojë, sepse këtu vihet në të gjitha stinët ndryshe nga zona e bregut, bën këtu turizëm në dimër edhe në verë. Është rrugë ekonomike dhe gjithë prodhimet super bio do jenë në shërbim të turizmit të poshtëm, bletët i kanë të mira shumë, po dhe grenzat i kanë në nivelin më të lartë”.

Me përmbylljen e këtyre dy segmenteve rrugore, distanca nga Qeparoi në Kuç do të përshkohet për vetëm pesë minuta dhe për të parë kanionet e bukura të Nivicës do të duhet të udhëtosh me automjet për vetëm 10 kilometra.

Tv Klan