Kryeministri Edi Rama, përgjatë rubrikës së tij “Sy m’sy”, u është përgjigjur komentuesve, por gjithashtu nuk ka lënë mundësinë pa ironizuar opozitën.

Rama u shpreh se opozita nuk ka parti, por që sipas tij janë “çeta”, tufa, apo gjymtyra të cilat bashkohen disa herë, por që nuk mund të dalin në një përfundim. Në këtë mënyrë ai cilëson se partitë opozitare nuk janë të bashkuara brenda strukturave të tyre, për të mos i bërë dot ballë kështu partisë e cila është në pushtet në zgjedhjet e 11 majit.

“Një ndryshim shumë themeleor midis nesh e të tjerët, është se ata nuk janë parti. Janë çeta, janë tufa, grupe, por nuk janë parti. Janë gjymtyrë të shpërndara që bashkohen e montohen, por nuk arrijnë dot të harmonizohen, të artikulohen, janë kuak-kuak-kuak.”, u shpreh Rama.

Një komentues ka vënë në dyshim rritjen e punësimit në vendin tonë. Për këtë, Rama u shpreh se në qeverinë para tij kishte të regjistruar 1 milionë shtetas të punësuar, ndërsa më sot janë 1 milionë e 300 mijë, duke pësuar kështu një rritje prej 300 mijë shtetas të punësuar.

“300 mijë vende pune, është shumë e thjeshtë. Merrni regjistrin, shikoni sa të punësuar ka pasur në Shqipëri, 1 mln, me regjistër, që paguan detyrimet. Sot janë 1 mln e 370 mijë. Si t’ja bëjmë, janë apo s’janë? Janë fakte, s’janë muhabete. Janë pra. Kur flas për papunësinë, e çohen ca e thonë se kanë ikur popullsia e është ulur papunësia… nuk funksionon kështu. Nuk bazohet tek numri i popullsisë por tek forca e punës, sa ka qenë e sa është.”, sqaroi Rama.

Sakaq, një komentuese tjetër ka shprehur se “dihet numri i votave”, por për këtë kreu i qeverisë u shpreh se votat numërohen nga të gjitha palët dhe se fitorja për Partinë Socialiste është e sigurt, për shkak se nuk ka kundërshtarë politikë, duke ironizuar kështu partitë opozitare.

“Votat numërohen nga të gjitha palët, mos ki asnjë merak për të. Siguria pse fitoj unë, po ta shpjegoj prej 12 vitesh, edhe prap do fitojmë, sepse kemi bërë shumë punë, popr edhe sepse nuk kemi kundërshtarë. Ç’të them.”, përmbylli Rama.

/tvklan.al