Kryeministri Edi Rama, nga aktiviteti “Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike Digjitale në Shqipëri”, nuk la mundësinë të ikte pa përmendur rëndësinë e anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian, një aspiratë kjo kryesore e socialistit për zgjedhjet e 11 Majit.

Rama u shpreh se AKSHI ka marrë “flamurin e AI”. Me fat e konsideroi faktin që pas krijimit të inteligjencës artificiale të fshihej një shqiptare, Mira Murati, me të cilën qeveria aktuale shprehet të ketë bashkëpunuar.

Ai tha se falë bashkëpunimit me AKSHI-n dhe Mira Muratin, Shqipëria është vendi i parë i cili do të përdorë inteligjencë artificiale për të kryer negociata me Bashkimin Evropian.

Kjo nuk është hera e parë që Rama shprehet se ka pasur kontakte me Mira Muratin lidhur me përdorimin e AI në negociatat me BE-në, ndërsa ajo, sipas kryeministrit, është shprehur gjithnjë pozitive  për të ndihmuar në një hap kaq të madh.

“Por, ajo që është e rëndësishme të thuhet është çfarë po bëjmë aktulisht e çfarë do kemi në dispozicion në vitet ne vijim.

AKSHI ka marrë flamurin e AI. Fati e desh që një ndër krijuesit e OpenAI e ChatGPT të ishte një shqiptare, Mira Murati, me të cilën ne jemi lidhur që në javën e parë pasi doli ChatGPT dhe morëm vesh ekzistencën e saj. Sot falë bashkëpunimit me Mirën dhe punës së AKSHI-t, negociatat me Bashkimin Evropian bëhen me inteligjencë artificiale. Është vendi i parë që përdor inteligjencë artificiale për të bërë negociata me Bashkimin Evropian, e falë inteligjencës artificiale transferimi i gjithë trupit ligjor të Bashkimit Evropian, që është mbi çerek milion faqe, kryhet me një shpejtësi marramendese. Vetëm për të bërë këtë proces, Kroacisë që ka bërë përparim në BE, i janë dashur 7 vjet”, tha Rama.

/tvklan.al