Tashmë i takon kryekomisionerit zgjedhor dhe administratës së sapozgjedhur të merret me çështjen e votimit të emigrantëve në zgjedhjet e radhës. Është ky mendimi i kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë një konference për mediat ditën e sotme tha se është humbur shumë kohë.

Kohë sipas kreut të qeverisë është humbur edhe me çështjen e identifikimit biometrik, për të cilën është rënë dakord më 5 Qershor mes palëve politike.

“I takon kryekomisionerit dhe strukturës së sapozgjedhur të administratës zgjedhore që të gjykojë dhe propozojë për çështjen e votës së emigrantëve. Në këndvështrimin tim është humbur shumë kohë për këtë siç është humbur shumë kohë për identifikimin biometrik. Unë shpresoj që të realizohet, por eksperienca e mëparshme ka treguar që duhet kohë”, tha Rama.

Kryetari i Partisë Socialiste shtoi se selia që ai drejton do që të ketë në skuadrat e tij më 25 Prill të paktën një person që të përfaqësojë emigrantët dhe problematikat e tyre.  

“Në këtë kanal të hapur me këtë ftesë mirëpresim me shumë kënaqësi të gjithë ata që janë në emigracion, vajza djem dhe nuk vë kufi moshe që mendojnë se kanë diçka që mund ta ofrojnë. Patjetër që do ta konsiderojmë dhe objektivi është që të kemi në çdo skuadër, nga 12 skuadrat, të kemi dikë që të përfaqësojë energjinë, freskinë, dëshirën e atyre që janë në emigracion. A do ta realizojmë dot? Nuk e di. Varet nga shprehja e interesit, kualiteti i kandidaturave. Atyre që e shohin me mosbesim këtë proces u them që nuk humbi asgjë. Na vini në provë”, u shpreh Rama.

Të shumtat janë çështjet e aktualitetit për të cilat Edi Rama nuk dha një përgjigje përballë gazetarëve, por premtoi që do të flasë në mbrëmje në emisionin “Opinion” në Tv Klan.  

“Më falni që po e përsëris dhe njëherë, por për të gjitha pyetjet e aktualitetit të gjitha sonte tek Fevziu do jem aty në zemër të infodemië”, tha Rama. /tvklan.al