Besimtarët myslimanë do të festojnë Bajramin në karantinë

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se fundjava do të vijojë me të njëjtat rregulla si fundjavën e shkuar.

“Ta kaloni sa më qetë”, shkruante kreu i qeverisë në Facebook.

Kujtojmë që fundjavën e kaluar të shtunën mund të qëndronin hapur deri në orën 17:30 vetëm dyqanet ushqimore dhe farmacitë. Pensionistët lejoheshin të dilnin nga shtëpia deri në orën 10:00, ndërsa prindërit me fëmijë deri nën 14 vjeç nga ora 11:00 deri në orën 17:30.

Ndërkohë të dielën çdo gjë ishte e mbyllur ndërsa për të dalë nga shtëpia kishin mundësi vetëm pensionistët dhe prindërit me fëmijë po në të njëjtat fasha orare si e shtuna.

Në të dyja ditët u ndalua qarkullimi i automjeteve private. Këto masa ishin vetëm për zonat e kuqe, ndërsa tek ato jeshile qarkullimi vijoi me rregullat e reja deri në orën 21:00.

Të dielën është festa e Bajramit, ku mesa duket besimtarët myslimanë do ta festojnë në karantinë këtë ditë të shënuar për ta

Statusi i shkurtër i kryeministrit Edi Rama në Facebook ka krijuar konfuzion mes qytetarëve të cilët sërish janë të paqartë se çfarë do të ndodhë në fundjavë.

Ata kanë shkruar në profilin e kreut të qeverisë ku kanë kërkuar një sqarim më të qartë.

“Çfarë kuptimi ka si javën e kaluar? Kaq problem e ke ta sqarosh o zotëri i dashur”, shkruante një komentuese.

“Përshëndetje z. Kryeministër. Doja të dija nëse baret dhe restorantet në ambient të hapur do jenë të hapur këtë fundjave? Po qendrat tregtare”, shkruante një tjetër.

“Fundjava e kaluar kishte më shumë zona të kuqe , ndërkohë fillimi javës erdhi me shumë zgjerime. Nuk kuptojmë termin “si java e kaluar” , dmth ato që u liruan në këtë fillim jave shkojnë prapë si fundjava”, pyeste një tjetër.

/tvklan.al