Nga Saranda, Kryeministri Rama ofroi një pakt për pronarët e hoteleve që të paguajnë 65% të kapacitetit akomodues në periudhën Maj-Shtator dhe 30% në dimër.

“Kemi vendosur që t’i japim një opsion të gjithë strukturave hoteliere, për të pranuar një paradeklarim me marrëveshje që për periudhën e pikut, nëse nuk duan asnjë kontroll, të paguajnë 65%”, u shpreh Edi Rama.  

500 përfituesit e parë që investojnë në agroturizëm nuk do të paguajnë taksa për 10 vite.

Rama foli për mbikëqyrjen me dron të plazheve. Për kryeministrin, ka ngelur pa parë vetëm shezlonge nën ujë dhe me çmime 1 mijë Euro.

“Kemi bërë planin e mbikëqyrjes së plazheve me dron dhe në mënyrë të përditshme do të marrim informacion mbi, pikërisht, mënyrën se si administrohet hapësira e plazheve”, tha kreu i qeverisë.

Qeveria do të përdorë Inteligjencën Artificiale në mbikëqyrjen e biznesit.

“Ne tani po krijojmë, bashkë me Microsoft-in modelin e Inteligjencës Artificiale që do të bëjë si të thuash atë që sot e bëjnë fizikisht inspektorët për të parë nëse ti e ke shkelur kasën, atë butonin në mënyrë të rregullt apo ke bërë hile”, u shpreh kryesocialisti.

Me hyrjen në BE, sipas kryeministrit, vlera e pronës do të dyfishohet menjëherë. Ai pati dhe kritika për kryebashkiakët.

“Kryetar bashkie është puna më e vështirë dhe puna më e bukur që mund të bësh në shërbimin publik, por ajo që shoh unë që ndodh me kryetarët e bashkisë, sidomos ata që janë në qytete të vogla, që humbin kontaktin me realitetin”, tha Rama.

Klan News