Brenda 4 viteve të ardhshme, qeveria shqiptare synon që të gjitha shërbimet për bizneset të bëhen online. Në konferencën për shtyp “Ekonomia në fokus”, Kryeministri Edi Rama tha se kjo do të largojë përfundimisht elementin abuziv që sjell me vete një sistem i bazuar tek kontrollet e drejtpërdrejta nga njeriu.

“Sot nuk ka sesi bizneset të mos ndjehen tejet të lehtësuar në raport me 7 vjet më parë. Biznesi i vogël, ka 0 taksë, një pjesë e këtij biznesi 0 taksë mbi fitimin, 0 TVSH. Nuk ka sesi të mos ndihen të lehtësuar deri në fund nga barra më e madhe fiskale mbi ta. Por patjetër, nuk ka sesi të ndihen të lumtur dhe as të kënaqur, në të njëjtën kohë kur duhet të përballen me forca dhe situata të lidhura me arbitraritetin e administratës tatimore. Atëherë çfarë duhet të zgjedhin? Kthimin pas, apo vazhdimin e kësaj pune e cila sikundër u pasqyrua këtu sot, do të thotë largim përfundimtar i elementit abuziv që sjell me vete një sistem i bazuar tek kontrollet e drejtpërdrejta nga njeriu dhe vendosjen e një sistemi tjetër ku punën e garantimit të marrëdhënies mes biznesit si prodhues të ardhurash dhe si kontributor për shtetin, nuk e bën një ushtri inspektorësh, por e bën një sistem i tërë inteligjent, i cili brenda tij ka një sërë një sërë komponentësh, ku fokusi është fiskalizimi”.

“Brenda 4 vjeçarit të ardhshëm gjithçka do të jetë online për biznesin”, theksoi ndër të tjera Kryeministri, i cili theksoi se ky proces ka nisur, por puna është ende në mes.

“Ky proces ka nisur dhe sot kemi kursyer çerek milion orë për marrëdhëniet biznes-shtet në aspektin e radhëve, pritjeve, e marrjes së përgjigjeve, vonesave të zvarritjeve duke i kaluar një pjesë të madhe të komunikimeve dhe kontakteve me shtetin online dhe kështu kudo. Por ama kjo është një punë në mes”./tvklan.al