Procedura e votimit për komisionet që do të ngrihen për të kryer vetingu për të zgjedhurit dhe emëruarit në sistemin e Drejtësisë nuk negociohen nga maxhoranca.

Kryeministri Edi Rama, pas një takimi që pati me Ambasadorin amerikan Donald Lu dhe më herët me aleatin Ilir Meta zgjodhi për të tretën ditë radhazi të dalë në konferencë për shtyp për të përforcuar qëndrimin e tij. Ai tha se nuk do të pranojë që politika t’i shtrijë sërish duart në sistemin e drejtësisë.

Teksa opozita e akuzon se nuk pranon vendet e rezervuara për të 4 institucionet e reja kushtetuese që do të ngrihen pas miratimit të reformës në Drejtësi për shkak se do të ketë kontrollin mbi to, Kryeministri publikoi disa të dhëna si dëshmi se si e ka kapur sistemin e drejtësisë mazhoranca e djeshme.

Si tjetër provë se ai nuk e ka kontrollin mbi gjykatat dhe prokurorinë, Rama përmendi 21 Janarin, Gërdecin dhe çështjen e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për Rrugën e Kombit.

Kryeministri thotë se votimin me 3 / 5 e ka kërkuar dhe kur ishte në opozitë, por për hir të kompromisit pranoi votimin me 2 / 3 për anëtarët e institucioneve të reja kushtetuese.

Drafti u miratua të martën në Komisionin e Posaçëm të Reformës vetëm me votat e mazhorancës dhe do të dërgohet në parlament. Mazhoranca ka lënë të hapur mundësinë e rishikimit të neneve që kontestohet nga opozita.

Tv Klan