Kryeministri ka hedhur sërish akuza të forta në adresë të Rektorit të Universitetit të Tiranës i cili sipas tij jo vetëm s’po adreson por po bllokon procesin e nisur për plotësimin kërkesave të studentëve. Në një takim me drejtues të Universiteteve në vend ku mungonte rektori Mynyr Koni dhe ku u prezantua Biblioteka Digjitale Universitare, Rama la të kuptohet dhe një hap drejt shkarkimit të tij por pa e artikuluar këtë.

“Është koha për të adresuar inkompetencën e plotë dhe mungesën e vullnetit alarmant të konstatuar dhe në raport me gjjthçka jemi përpjekur të bëjmë për të adresuar dhe kërkesat legjitime të studentëve nga ana e Rektorit të Universitetit të Tiranës. Është e papranueshme dhe ka ardhur koha që ne t’i referohemi ligjit për arsimin e lartë dhe të hapim një proces transparent për të adresuar këtë problem. Rektorati është vendi për të gjetur zgjidhje, jo vendi ku problemet krijohen dhe zgjidhjet pengohen”.

Kryeministri dhe në këtë takim ripërsëriti kërkesën drejtuar titullarëve të Universiteteve të nisin sa më parë procesin e transparencës së titujeve akademik, vlerësimit të pedagogëve nga studentët si dhe fenomenit të shitblerjes së libra në këmbim të notave.

Por rektorët mendojnë se ky proces nuk bëhet pa bashkëpunimin e Ministrisë së Arsimit. Rama lajmëron se në qeveri po diskutohet mundësia e rivendosjes së mesatares për pranimet në Universitete.

Tv Klan