Në takimin e Komitetit të Politikës së Jashtme të Internacionales Socialiste, kryeministri Edi Rama njëkohësisht zv/president i kësaj organizate, tha se shpata e ndëshkimit ka kaluar nga pushteti ekzekutiv te drejtësia e pavarur.

“Nga pikëpamja njerëzore nuk është mirë të shohësh njerëz që i njeh prej kohësh që të dalin para drejtësisë për t’u përgjigjur për gjëra të ndryshme. Ajo që është mirë nga njëra anë është se kemi pastruar procesin e drejtësisë përmes një procesi te vetingut. Kemi kaluar shpatën e ndëshkimit nga pushteti ekzekutiv te drejtësia”.

Rama u ndal tek integrimi europian.

“Jemi në fund të mandatit të tretë qeverisës dhe presim me padurim një fushatë tërheqëse zgjedhore për të marrë mandatin e katërt. Duam të përmbushim misionin, të çojmë Shqipërinë në BE”.

Kryeministri Rama tha se ajo që po ndodh me mediat sociale është shkatërrimi i shumë gjërave, dhe në veçanti i idesë së politikës.

Auditorit iu drejtua në mënyrë virtuale kryeministri spanjoll Sanchez.

“Të dashur shokë, më vjen keq që nuk munda të jem aty personalisht, por dua të përfitoj nga kjo mundësi për të falenderuar mikun tim Edi. Transformimi nga inteligjenca artificial dhe bota dixhitale nuk po njeh kufi. Fushatat e dezinformimit mund të ndikojnë zgjedhjet në një vend tjetër. Po ashtu algoritmet që nxisin gjuhën e urrejtjes minojnë institucionet. Teknologjia duhet t’i shërbejë demokracisë. Do të vijojmë punojmë me ju edhe në muajt në vijim për drejtësinë sociale”.

Klan News