Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të mërkurë ambasadorët e huaj në vendin tonë në takimin e fundvitit. Këtë mbrëmje, ai ia dedikoi të gjitha grupeve të kërkim-shpëtimeve që morën pjesë në operacionet pas tërmetit të 26 Nëntorit që la pas 51 viktima.

Rama u shpreh se edhe pse Zoti ose natyra kanë qenë bujarë me të duke i dhënë shumë centimetra në gjatësi, këto dy javët e fundit është ndierë më i vogël se zv/kryeministri Erion Braçe.

Kryeministri theksoi se sot ndihet i vogël edhe përballë heronjve që erdhën për të shpëtuar jetë në vendin tonë.

“Ata që kanë qenë në mbrëmje të ngjashme të viteve të shkuara e dinë që përfundon me një libër të dhuruar. Por kësaj here bibliotekat nuk do pasurohen me një libër timin sepse këtë mbrëmje mendoj se s’ka asnjë mundësi për të mos ia dedikuar trupave të kërkim-shpëtimit dhe pikërisht sepse është më e denjë dhe fitimprurëse të japësh se sa të marrësh nuk do mbeteni duarbosh gjithsesi. Unë jam produkt bujarie i zotit apo natyrës, nuk e kam bërë akoma zgjedhjen mes të dyjave sepse kam kaq shumë centimetra sa asnjëherë nuk jam ndjerë i vogël para të tjerëve. Madje e kam të vështirë të kujtoj që kur kam lënë parketin e basketbollit se kam pasur më shumë se 2 a 3 takime me njerëz më të gjatë se vetja. Por me asnjë retorikë mund të them se ka dy javë që ndihem shumë herë më i vogël se Erion Braçe… në masë. Sot ndihem edhe më i vogël përballë heronjve që janë mes nesh, njerëz të zakonshëm të vendeve prej nga vijnë, që siç erdhën –ikën, si engjëj mbrojtës që u shfaqën dhe u zhdukën”, tha Rama./tvklan.al