Kryeministri Edi Rama ripërsëriti gatishmërinë e tij për dialog me opozitën, por theksoi se nuk është i gatshëm të negociojë asgjë që lidhet me vullnetin e popullit të shprehur me votë. Rama theksoi se nuk është i gatshëm të shpenzojë kohën e tij duke pritur Bashën, pasi siç tha “ka gjëra më të rëndësishme dhe ka shumë detyra më të rëndësishme sesa të pres Lulzim Bashën, apo Monika Kryemadhin“. Në bashkëbisedimin që pati këtë të martë më gazetarët, kreu i qeverisë pohoi gjithashtu se nuk ka asnjë iniciativë të ndërkombëtarëve për të patur një komunikim mes tij dhe Bashës.

“Situata për sa më takon, pas pushimeve nuk mund të vazhdojë të marrë energjitë e mia dhe tonat për këtë çështje. Ne e kemi dhënë qëndrimin, unë e kam përsëritur pozicionin. Jemi të gatshëm të dialogojmë në çdo moment me opozitën jashtëparlamentare, por nuk jemi të gatshëm të negociojmë asgjë gjë që lidhet me vullnetin e popullit të shprehur me votë. Dhe nuk jemi të gatshëm që të harxhoj kohën time e të njerëzve me këtë muhabet, çdo ditë, sepse me të drejtë çdo njeri i zakonshëm duke më dëgjuar edhe mua, mund të thotë ik se na rrokanisët kokën që të gjithë. Ka shumë gjëra më të rëndësishme dhe ka shumë detyra më të rëndësishme sesa të pres Lulzim Bashën, apo Monika Kryemadhin që të kandisen për të folur, është puna e tyre”.

Fitorja në 61 bashkitë e vendit, për Kryeministrin është një përgjegjësi që duhet mbajtur me dinjitet.

Ne kemi marrë një barrë që mua më ka hequr përfundimisht mundësinë e atij pak gjumi që bëja përpara, se duhet të drejtojmë të gjitha bashkitë e vendit dhe këtë barrë ne kemi detyrën ta mbajmë me dinjitet. Është një punë kolosale, për të gjitha ato që thashë, për shumë të tjera që nuk është koha e vendi për t’i thënë nga ana e qeverisë”.

Kryeministri tha më tej se në politikë duhet të marrësh përgjegjësi për vendimet e marra.

“Fokusi im nuk është kjo loja, macja me miun, e atyre që zgjodhën një rrugë që për mua ka qenë e qartë që ditën e parë. Unë ua kam thënë kur ishin në parlamentet, që do t’ju çojë më keq sesa jeni. E zgjodhën, të gjitha i kanë vendosur vetë. Në politikë, kur merr vendime duhet të marrësh edhe përgjegjësi. Për sa kohë ata do të vazhdojnë të marrin apo të pranojnë vendime të imponuara nga i pari dhe të parët e tyre dhe të mos kërkojnë përgjegjësi nga ata që i marrin vendimet, jemi përpara një situate se nuk ke me kë flet dhe nuk ke çfarë flet”./tvklan.al