Me mbylljen e procesit të numërimit të votave, kryeministri Edi Rama u ka dërguar një mesazh të gjithë kandidatëve të Partisë Socialiste.

Fillimisht kreu i qeverisë ka një falenderim për fushatën e kryer dhe punën e bërë për fitoren në zgjedhje.

“Së pari, dua t’ju falenderoj të gjithëve për eksperiencën e një beteje politike të paharrueshme, ku secili e secila bëri sa mundi dhe ku rezultati i përbashkët do mbetet në historinë politike të Shqipërisë, e natyrisht edhe në historinë e Partisë Socialiste, si një sukses krejt i veçantë. Faleminderit! Së dyti, dua t’i përgëzoj shumë përzemërsisht të gjithë ata dhe ato që në fushën e hapur të betejës, u përpoqën me të gjitha forcat e tyre dhe u bënë fuqi e shtuar e Partisë Socialiste në çdo territor!”, shprehet Rama.

Rama ka edhe një mesazh për ata kandidatë që nuk ia dolën të jenë në sallën e Kuvendit në legjislaturën e ardhshme.

“Të gjithë atyre që s’ia dolën u them shumë sinqerisht se duhet të jenë jo vetëm krenarë, për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e Partisë Socialiste, po edhe të bindur se në rrugën që vazhdon, me supersfidën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kontributi i tyre do të jetë shumë i nevojshëm. Prandaj kokën lart të gjithë bashkë motra e vëllezër, këtu nuk ka humbës po vetëm fitues!”, tha Rama.

Në fund Rama lajmëron edhe një festë fitoreje, që thotë se nuk do të jetë e madhe, por për shijen e një fitoreje për të cilën ata e dinë sa është punuar.

Tv Klan