Kryeministri Edi Rama deklaroi pas një konference me zyrtarët e lartë të BE-së se në Shqipëri janë 20 persona që janë akuzuar në lidhje me shitblerjen e votave. Kreu i qeverisë replikoi me një gazetare, deklaratën e së cilës e konsideroi të pabesueshme.

“Ju ngritët çështjen e zgjedhjeve që do të vijnë. Disa parregullsi janë regjistruar në zgjedhjet e mëparshme si trysni, përdorimi i administratës publike dhe shitblerja. Këto janë parakushte në vendimin e Këshillit dhe reflektohen në ndryshimet e fundit ku thuhet se këto çështje të dyshuara nuk kanë shkuar në gjykatë dhe asnjë punë nuk është bërë në këtë drejtim. A e ndani këtë shqetësim të PE-së dhe vendeve anëtare sa i përket shitblerjes dhe a e keni marrë nga qeveria se këto parregullsi nuk do të përsëriten”, pyeti ajo.

Ishte pikërisht kjo pyetje që shkaktoi edhe reagimin e kreut të qeverisë. “Aktivizëm dembel”, tha Rama duke shtuar se të akuzuarit për blerje të votave janë nga të gjitha partitë.

“Është mjaft mbresëlënëse të dëgjoj në gjuhën time një deklaratë kaq të pabesueshme si askush nuk është hetuar, asgjë nuk ka ndodhur sa i takon rasteve të dyshuara për blerje vota, ndërkohë që ka 20 persona të akuzuar nga prokuroria dhe ndërkohë që flasim janë në proces e sipër. 20 persona të dyshuar për blerje vota nga të gjitha partitë. Është mbresëlënëse që të shoh këtë aktivizëm dembel që shpreh vetveten në këtë tempull shumë të lartë të BE-së, por ja që kështu është”, u shpreh Rama./tvklan.al