“Infodemia”, më problematike se koronavirusi

Edhe pse të rrethuar nga shtetet fqinje, që kanë evidentuar raste të me prekur nga koronavirusi, Shqipëria zyrtarisht ende rezulton që nuk ka asnjë person të konstatuar nga ky virus.

Kryeministri ka mbledhur Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe rreshtoi së bashku me Ministren e Shëndetësisë, të gjitha masat e ndërmarra për të qenë gati për çdo situatë epidemike.

Ata zbuluan dhe vendin e parashikuar për karantinë, nëse përhapja do të jetë e përmasave të mëdha. Por për Kryeministrin aktualisht, më shumë se sa vetë virusi, më problematike edhe më shumë se çdo vend tjetër, është infodemia, siç njihen ndryshe situata e krijuar nga përhapja e lajmeve të rreme që përhapin panik, lidhur me këtë virus.

Në mënyrë të veçantë, ai fajëson segmente të caktuara të politikës, që po e përdorin këtë situatë. Rama përsërit se Shqipëria nuk është imune ndaj virusit, por ajo që vlen në këtë situatë është qetësia dhe besimi.

Tv Klan