Kryeministri Edi Rama tha të enjten nga foltorja e parlamentit se Shqipëria ka datën për negociatat dhe se së shpejti do të udhëtojë sëbashku me kryeministrin maqedonas drejt Brukselit për të filluar punën përgatitore.

“Sot jam ftuar bashkë me kryeministrin e Maqedonisë për të shkuar në ditët e ardhshme në Bruksel për të filluar punën përgatitore, që është puna e të gjithë procesit analitik për hapjen e negociatave.  Këta më thonë jepni dorëheqjen. Do të flas edhe me Zaev dhe do t’ju kthejmë përgjigje, por kur të jemi pushim, d.m.th ka kohë.  Ne themi kemi datën për negociatat, këta thonë jo. Në korrik vjen delegacioni i Komisionit Europian për nisjen e procesit analitik. Vjen qershori (për hapjen e negociatave), këtu do jemi ”,

tha Rama.

Më tej, Rama vazhdoi me akuzat për opozitën.

“Pse keni rënë në prehrin e Easat Pashë Toptanit? Pse jeni katandisur në një tufë efendilerësh esadistë? Nuk kemi fare çfarë të debatojmë dhe ne nuk kemi punë me këta sepse kemi mjaft punë. Në këtë stad të ri kemi aq shumë punë sa s’mund t’i mbajmë më këta në kurriz.”

A ka njeri të ma thotë se çfarë mund të debatojmë ne këtu me këta? Pse ka Shqipëria këtë opozitë? Që është e vetmja që punon kundër vendit të vet në proceset integruese. Këtë e thonë tërë miqtë e Shqipërisë që ne takojmë, që bënë për Shqipërinë pakrahasimisht më shumë se këta. Opozita është e vetmja që thotë se Shqipëria dështoi ndërkohë që vetë Këshilli Europian postoi një kartolinë Urimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe ndërkohë që miqtë vazhdojnë edhe sot të na urojnë

”, tha Rama. /tvklan.al