“Izolim total edhe këtë fundjavë”

Me një video që tregon se çfarë po ndodh në Iran nga pandemia e koronavirusit, Kryeministri Edi Rama u kujtoi edhe njëherë qytetarëve pasojat e rënda nëse nuk do të rezistojnë duke u izoluar.

Kryeministri thotë se vendi ka hyrë në zonën e zjarrit, atë kur pritet të rritet ndjeshëm numri i të infektuarve. Ripërsërit se vetëm rezistenca e ka ndaluar armikun e padukshëm të bëjë kërdinë duke shkatërruar barrikadën e bluzave të bardha.

“E keqja – thotë Kryeministri – nuk është mbyllja në shtëpi, por rreziku i vdekjeve masive. Ekonomia bie dhe ngrihet prapë, por të vdekurit nuk ringjallen më”.

Për të tretën fundjavë radhazi, qytetarët në të gjithë vendin do të jenë në izolim. Prej orës 13:00 të ditës së shtunë deri mëngjesin e të hënës nuk do të lejohet të qarkullojë asnjë automjet.

Të gjitha sipërmarrjet, përfshirë farmacitë dhe dyqanet ushqimore, do të qëndrojnë të mbyllura. Të vetmit që do të vijojnë të jenë në gatishmëri janë mjekët, policët dhe ushtarakët.

Tv Klan