Kryeministri i Edi Rama është shprehur në konferencën e kësaj të marte me gazetarët se falë revolucionit dixhital, është krijuar pasaporta dixhitale e vaksinimit duke u parapërgatitur për mundësinë që edhe vaksinimi të mund të kthehet në kusht për udhëtimet jashtë vendit nga të tjerët.

“Sot që ne kemi hyrë në një proces shumë të komplikuar sa i përket nevojës për të garantuar transparencë dhe eficencë në fushatën e vaksinimit dhe ndërkohë që ne përgatitemi për të disponuar sasi të tjera vaksinash që do të kërkojnë intensitet të lartë vaksinimi, ne disponojmë falë revolucionit dixhital një sistem që garanton plotësisht transparencë dhe eficencë dhe kemi krijuar pasaportën dixhitale të vaksinimit duke u parapërgatitur për mundësinë që edhe vaksinimi të mund të kthehet në kusht për udhëtimet jashtë vendit nga të tjerët”, tha Rama.

Pasaporta e vaksinimit në e-Albania, si mund ta gjeni

Kryeministri Edi Rama njoftoi këtë të martë se Shqipëria ka gati pasaportën e vaksinimit. Mësohet se kjo pasaportë do të jetë e vlefshme për t’u shkarkuar vetëm pas kryerjes së dy dozave të vaksinimit duke pasur parasysh që vaksina Pfizer kërkon injektimin e dy dozave.

Në pasaportë do të jenë të shënuara përveç kredencialeve edhe ditët kur i vaksinuari ka marrë injeksionet. Ky shërbim është gati dhe mund të gjendet lehtë në aplikacionin e-Albania. Pasaporta online do të merret menjëherë dhe nuk është e nevojshme të pritet. Po ashtu nuk do të ketë asnjë kosto për qytetarët.

Hapat për procedurat janë shumë të lehta dhe mund t’i lexoni këtu. (Kliko këtu)

Mësohet se së shpejti në e-Albania do të ketë një sistem ku qytetarët do të rezervojnë oraret e vaksinimit për veten ose fëmijët.

Rama: U kemi kursyer shqiptarëve 4 mln Euro dhe 472 vjet pritje

Kryeministri Edi Rama vlerëson se me “revolucionin dixhital”, siç e quan ai ofrimin e shërbimeve online, qytetarët shqiptarë kursyen 4 milionë euro dhe 472 vjet pritje. Në Konferencën e përjavshme për mediat “Ekonomia në Fokus”, Kryeministri deklaroi se tanimë online ofrohen 1207 shërbime, ndërsa përdorues janë 1.87 milionë.

Shqipëria kalon në një nivel tjetër për sa i përket funksionimit të brendshëm të shtetit dhe funksionimit të arsyes më të rëndësishme të ekzistencës së shtetit, marrëdhënies transparente, efikase, të drejtpërdrejtë me qytetarët. Nëse ne nuk do të ishim në fazën e këtij revolucioni ku këto dy ngjarje të mëdha e gjetën Shqipërinë, parafytyroni se çfarë do të mund të bënim nëse në momentin kur duhet të garantonim mbylljen e përgjithshme të një viti më parë nuk do të kishim mundësi që t’u shërbenim të gjithë qytetarëve në nevojë për të dalë nga shtëpia. Parafytyroni që kjo fatkeqësi të na kishte gjetur në kohën kur ky shtet kishte vetëm 1% të shërbimeve online dhe vetëm 50 mijë përdorues të këtyre shërbimeve. Sot nga 14 shërbime që ishin kur ne e nisëm këtë revolucion kemi 1207 shërbime dhe nga 50 mijë përdorues kemi 1.87 milionë përdorues. Nga 51 mijë aplikime për shërbime online në vitin 2013, sot në vitin 2021 kemi 7.7 milionë. Nëse në vitin 2013 kishte vetëm 6 regjistra elektronikë me total 680 mijë transaksione sot ka 55 databaza që shkëmbejnë informacion në kohë reale me 145 milionë transaksione, pra me një numër ndërveprimesh online të rritur 219 herë. 

Kemi bërë një llogari dhe pa këtë revolucion deri në këtë fazë ku ka ardhur, qytetarët shqiptarë do të kishin konsumuar 472 vjet pritje nëpër radha, janë shkurtuar 472 vjet kohë pritje nëpër radhë si kohë e harxhuar. Vetëm gjatë pandemisë janë shërbyer 1.2 milionë subjekte. Janë kursyer 293 vite pritje. Në total u janë kursyer qytetarëve përmes shërbimeve online 4 milionë Euro që do kishin shkuar për ato tarifat minimale, për dokumente në radhë, pa llogaritur kursimet e bakshisheve dhe ryshfeteve që ky sistem i asgjëson komplet. Për ato shërbime që sot ne kryejmë. Sot Shqipëria ka 95% të shërbimeve online”, tha Rama.

“Shteti në xhepin e qytetarit”, Rama: Mandatin e tretë përfundojmë revolucionin dixhital

Për kryeministrin Edi Rama revolucioni dixhital është në drejtimin e duhur, por ende nuk ka përfunduar. Ai theksoi gjatë një konference këtë të martë se brenda mandatit të tretë, Shqipëria do të jetë një shtet dixhital, ku qytetari do të ketë mundësi t’i kryejë të gjitha shërbimet përmes telefonit. Sipas tij, kjo shmang korrupsionin në sportelet e administratës.

“Edhe në shërbimet dixhitale, edhe në shërbimet e procesit të revolucionit dixhital, në krijimin e një shteti dixhital duhet ende kohë. Jemi ende në një punë që duhet të vazhdojë. Faktikisht duhen edhe disa vite brenda mandatit të tretë që ne të kryejmë të gjithë ciklin dhe ta kalojmë në një nivel tjetër Shqipërinë në këto marrëdhënie kaq etike duke asgjesuar të gjithë atë pjesë të korrupsionit që ka të bëjë me këto marrëdhënie dhe duke zgjidhur një herë e mirë një tmerr të madh shumëvjeçar në psikologjinë e qytetarëve shqiptarë që lidhet me administratën e pasjellshme, rryshfetmarrëse dhe duke e kthyer administratën që është në shërbim të qytetarëve në një makineri mbrapa ekranit, jo mbrapa sportelit. Duke mundësuar që marrëdhënia e qytetarit me shtetin për të gjitha ato që qytetari ka nevojë dhe shteti t’ia garantojë të jetë në xhepin e qytetarit, jo dora e zyrtarucëve dhe zyrtarëve të korruptuar, por shteti i gjithë të jetë në xhep me një smartphone. Ky do të jetë realitet i Shqipërisë brenda disa viteve, nesër brenda katër viteve të ardhshme”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se deri më tani janë me dhjetëra shërbime online. Kreu i qeverisë përmendi certifikatën, por edhe dëftesat për nxënësit, që tashmë do të jepen online. Po ashtu, Rama tha se edhe emigrantëve u janë lehtësuar shërbimet përmes aplikacionit E-Albania.

“Ju e mbani mend tmerrin e certifikatave. Sot ne kemi certifikatën në çdo moment që e duam me vulë elektronike në kohë reale nga kompjuteri. Nuk ka nevojë të shkojmë për të marrë një certifikatë. Sot dëftesat e nxënësve do të ofrohen online me vulë elektronike. Sot edhe pse ka shumë akoma për të bërë shërbimet shtetërore për ata që janë jashtë mundësojnë që 38 shërbime për të cilat deri dje kërkohej prania fizike në një konsullatë duke imponuar humbje kohe harxhime stres janë online”, tha Rama.

Listat e kandidatëve, Rama: Nuk kam pasur ultimatume nga Brukseli

Kryeministri Edi Rama u shpreh se në takimin që ka pasur ditën e djeshme me zyrtarët e lartë të BE-së nuk ka pasur asnjë ultimatum në lidhje me vendosjen e listave për kandidatë për zgjedhjet e 25 Prillit. Kreu i qeverisë tha se u ndje i turpëruar nga komentet e një gazetareje shqiptare në lidhje me këtë çështje.

“Tani vetëm fakte nuk janë opinione dhe koncepti i fakteve alternative për të njëjtat fakte është një koncept që ka hyrë së fundmi në shoqërinë njerëzore si rezultat i lajmeve të rremeve dhe i propagandimit përmes lajmeve të rreme. Në Bruksel nuk kam dëgjuar asnjë ultimatum, por vlerësime pozitive për Shqipërinë siç i dëgjuan të gjithë ata që nuk jetojnë në botën paralele të fakteve alternative. Në referencën që ti bëre ka një gabim në objekt sepse faktikisht është një referencë e shkruar e stërdiskutuar në mënyrë të gjatë. Më vjen mirë që koha tregoi që unë kisha të drejtë për Reformën Zgjedhore dhe që Reforma Zgjedhore ka marrë vlerësim maksimal bazuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias që ishte krejt i kundërt i botës paralele të fakteve alternative. Nëse ka pasur në Bruksel diçka që ka kërcitur njësoj siç kërcet një derë e vjetër në sfond kur luhet një koncert ka qenë ndërhyrja e koleges suaj, një ndërhyrje e pavend dhe absolutisht e padobishme për të mos thënë turpëruese për kategorinë e gazetarëve për të gjithë ju dhe për të gjithë ne faktikisht bazuar në fakte alternative të botës paralele dhe një kontrast turpërues për mua që ishte aty në dallim me kolegen tuaj që ishte nga Maqedoninë e Veriut që nuk i ra vendit të vet me baltë të prodhuar nga fabrikat e fakteve të botës alternative.”

Po ashtu ai tha se nuk ka pasur asnjë ultimatum në lidhje me Portin e Durrësit. Rama u shpreh se në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim Asociimit nuk është diskutuar kjo temë.

“Po kaq e pavërtetë sa mungesa e një ultimatumi është ajo që dëgjova tani për Portin e Durrësit. As është bërë as diskutuar, as është dëgjuar, as është prekur, asnjë fjalë lidhur me këtë temë. Është vërtetë për të ardhur keq. Ai investim është për ekonominë e të gjithëve, edhe për të ardhurat tuaja personale sepse është një investim që do të ndikojë ndjeshëm në ekonominë shqiptare dhe rritjen e ekonomisë shqiptare të këtij vendi. E kam dëgjuar këngën e Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë që ka investime të huaja, ka investime të huaja kemi paguar ndër vite traditën skandaloze të trashëguar dhe kur jemi gati të bëjmë investime të përmasave të mëdha dhe që kanë po atë efekt që kanë pasur në Malin e Zi sepse kanë rrogat e mëdha se kanë rritur investime, këtu prodhohet baltë dhe shpifet paturpësisht për diçka që është drejtpërdrejt e lidhur me interesin personal tuajin”.

“Shumë shpejt nisim vaksinim masiv”, Rama tregon ambicien për sezonin veror

Kryeministri Rama u pyet në konferencën e kësaj të marte me gazetarët lidhur me datën e vaksinimit masiv të qytetarëve, teksa theksoi se do të kemi shumë shpejt mundësinë të “marrim frymë lirisht”. Rama tha se ambicia është që të kemi një sezon veror të lehtësuar nga kjo situatë pandemike.

“Për këtë temë po flas çdo ditë dhe nuk di ç’domethënë a ka një datë për të të filluar vaksinimin masiv, kur këtu bëhet fjalë në radhë të parë për të siguruar një sasi dozash që garantojnë një fushtatë masive, çdo ditë vaksinimi. Për sa kohë kjo sasi dozash nuk është në Shqipëri, data që ju më kërkoni mua është muhabet, të hedhim fall. Unë jam besimplotë që ne do të kemi shumë shpejt mundësinë të marrim frymë krejt lirisht dhe të fillojmë një vaksinim intensiv me ambiencien që sezionin veror ta kemi shumë më të lehtësuar nga pesha e zinxhirit të infektimeve. Për datë më vjen keq por…”

Rama theksoi se e quan “ambicie” apo “çmenduri”, sepse sipas tij të siguruarit dozat e nevojshme të vaksinave është tejet e vështirë.

“Ambicia, ëndrra, çmenduria ime është që ne të kemi një fushatë intensive vaksinimi për ta lehtësuar maksimalisht sezonin turistik dhe për ta promovuar Shqipërinë si një vend me rrezikshmëri shumë të ulët në raport me virusin, si rezultat i një fushate intensive, që do të këpusë shumë hallka të zinxhirit të infektimit. Pse them ambicia, pse them çmenduria? Sepse faktikisht është një bast shumë i madh për sa kohë duhen siguruar sasitë e vaksinave dhe nuk është aspak gjëja më e lehtë që mund të bëhet sot, është gjëja më e vështirë sot”. 

“Duan ta lidhin me zinxhirë”, Rama: Basha nuk ka këllqe, çfarë fshihet pas marrëveshjes PD-LSI

Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza të forta ndaj drejtuesit të opozitës, Lulzim Basha, pas marrëveshjes që ai bëri ditën e djeshme me LSI-në për koalicion.

Kryetari i mazhorancës komentoi fillimisht deklaratën e Presidentit Ilir Meta ditën e djeshme, i cili tha se do të dorëhiqet nëse Rama fiton 71 mandate dhe do të drejtojë opozitën. Për kreun e qeverisë, në zgjedhjet e 25 Prillit, shqiptarët zgjedhin mes drejtësisë dhe Ilir Metës.

“Në një farë mënyre Ilir Meta duhet falenderuar sepse ka sqaruar plotësisht ekuacionin e referendumit, i cili ishte një ekuacion i paplotë me vetëm njërën anë që në 25 Prill referendumi popullor do të shpërbëjë reformën në Drejtësi. Tani Ilir Meta i fton shqiptarë në një referendum ku duhet të zgjedhin, me drejtësinë apo me Ilir Metën. Me Reformën në Drejtësi deri në fund apo me Ilir Metën? Zgjedhje më të qartë, më të drejtpërdrejtë shqiptarët nuk mund të kenë më 25 Prill dhe për këtë Ilir Meta duhet falenderuar.”

Rama shtoi se Ilir Meta dhe Sali Berisha fshihet pas marrëveshjes që u firmos ditën e djeshme mes LSI-së dhe PD-së. Kreu i qeverisë tha se ish-kryeministri Berisha dhe Presidenti aktual duan të “lidhin me zinxhirë” kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, i cili sipas Ramës nuk ka “këllqe” dhe është vetëm “menaxher” i selisë blu.

Sa i përket marrjen e drejtimit të opozitës, kjo besoj është e qartë për ata që shikojnë përtej asaj që duket, mjafton të shikojmë firmosjen e marrëveshjes së djeshme për të kuptuar planin. Plani është i qartë? Pse u firmos marrëveshja dje? Pse? Pse u firmos një marrëveshje nga dy palë që garojnë veç e veç. Për çfarë? Është shumë e thjeshtë, është pjesë e planit për të lidhur Lulin me zinxhirin e Monikës për llogari të Saliut dhe të Ilirit dhe pastaj ose për të marrë pushtetin dhe për të shpërbërë Reformën në Drejtësi ose për të marrë kokën e Lulit. Ka më thjeshtë se kaq? Dhe është shumë e qartë pse e duan Lulin të lidhur para zgjedhjeve. Këtu problemi nuk është Ilir Meta në pjesën e dytë. Këtu problemi është Lulzim Basha që nuk ka këllqe, s’ka karakterin e një lideri që të mos fshihet as kur i tregojnë çfarë do ti bëjnë të nesërmen, dhe as kur aleati i tij i madh thotë unë amerikanët i kap për veshësh. Është e qartë, por nuk mund t’ia kërkojmë sepse nuk është lideri, është thjeshtë menaxheri i një shoqërie aksionere me dy ortakë, me Ilir Metën dhe Sali Berishën dhe një notere dhe përmbaruese, Monikën. Besoj jam i qartë”.

Rama: 30 mijë vaksina të tjera Pfizer vijnë në Prill

Kryeministri Rama deklaroi në konferencën e kësaj të marte me gazetarët se kishte marrë në Bruksel angazhimin për 30 mijë vaksina të tjera në muajin prill nga Pfizer.

A po i përshtatet axhendës tuaj dhe mbërritja e vaksinave? Një ditë më parë ministrja e Shëndetësisë tha se do të shtyheshin për një ditë tjetër, por me mbërritjen tuaj në Rinas mbërritën dhe vaksinat, çfarë ndodhi?

“Ndodhi ajo që ndodh gjithmonë me mua dhe ata që flasin anglisht dhe fatmirësisht në këtë pjesë jam shumë i kënaqur që nuk jam vetëm sepse kam edhe dy të tjerë që e bëjnë pa asnjë gajle të njëjtën gjë, ministrin e shtetit për Rindërtimin dhe ministren e Shëndetësisë.

Ndodhi ajo me ‘gishta në vesh’ që ‘o do vijnë sot ose do vijnë sot’. Kjo ndodhi. Unë vërtetë jam lypësi më i gjatë dhe më i madh kur vjen puna për nevojat e këtij vendi, por nuk jam një lypës që kthej faqen tjetër kur ha shuplakën e moskorrektesës dhe të indiferencës të atyre që marrin përsipër angazhime. Kaq e thjeshtë është.

Jo vetëm ndodhi ajo, por si rezultat i asaj ndodhi edhe tjetra që morëm dhe angazhimin për 30 mijë vaksina të tjera në muajin Prill nga Pfizer”, tha Rama.

Rama: Politikanët shqiptarë duhet të vaksinohen të fundit

Politikanët duhet të vaksinohen të fundit”. Është ky mendimi i kryeministri Edi Rama, i cili tha këtë të martë se në Shqipëri nuk ka asnjë skemë për vaksinimin e politikanëve.

Madje sipas tij nuk ka edhe në vende të tjera në Europë diçka të tillë, por nëse publikohet ndonjë skemë, qeveria do ta mendojë.

“Kur në vende të tjera të dalë ndonjë skemë për vaksinimin e politikanëve do ta konsiderojmë, por unë mendoj që politikanët në Shqipëri duhet të vaksinohen të fundit fare”, tha Rama.

Rama flet për dosjen 184: Mos bëni prokurorin dhe gjykatësin

Kryeministri Edi Rama është ndalur të flasë edhe njëherë për rastet e shtiblerjes së votave në Dibër dhe tha se gazetarët nuk mund të bëjnë prokurorin dhe gjykatësin. Sipas tij, nuk ka mundësi që të përmbyset rezultati i procesit elektoral duke blerë vota.

Kreu i qeverisë ironizoi dhe akuzoi LSI-në duke thënë se “As fabrika e parave të LSI-së nuk arrin të përmbysë rezultatin kombëtar”. Rama u shpreh se testi për besueshmërinë në sytë e popullit jepet më 25 Prill.

“Është e pabesueshme që ju të bëni këtu prokurorin dhe gjykatësin suprem. Ju keni emra dhe ju jeni keni pretendimin që nuk janë hetuar. Ku e dini ju që nuk janë hetuar për shembull? Nga e dini ju? Ku e dini ju që emrat që ju përmendni janë të përfshirë në diçka që është kriminale? Si e dini ju? Nga muhabetet e telefonave? Si mund të bëhet kjo lloj prokurorie dhe gjykate në media me kufje në vesh. Është habi e madhe. Është prokuroria ajo që bën hetimin dhe është prokuroria e shtetit, jo ajo e news-eve, ajo që vendos se për kë ngre akuzë dhe për kë jo. Nuk jeni ju. Ju kam thënë gjithmonë një gjë. Bëni sondazhe, mos komentoni sondazhet e të tjerëve. Nuk ka shans të përmbyset rezultati i një procesi elektoral kombëtar duke blerë. Nuk ka shans. As fabrika e parave të LSI-së nuk arrin të përmbysë rezultatin kombëtar, që është një fabrikë që ka punuar me eficencë të plotë në raste të caktuara. Sa i përket besueshmërisë sime, natyrisht që nuk mund të jem i besueshëm për burime të infektuara informimi. Sa i besueshëm apo i pabesueshëm jam unë, apo jemi të gjithë ne, fatmirësisht e vendos populli shqiptar. Populli shqiptar në datë 25 do të na japë testin e besueshmërisë në dorë për të gjithë. Nuk pres të bëhem i besueshëm për pronarët e disa prej jush”. /tvklan.al