Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me sipërmarrës në fushën e IT-së këtë të diel. Kreu i qeverisë tha para tyre se Shqipëria ka mundësi që të bëhet kampione në Ballkan edhe në fushën e IT-së në 10-vjeçarin e ardhshëm.

Rama deklaroi se kjo mund të realizohet falë vetë sipërmarrësve, ndërsa qeveria thjesht mund të vendosë objektiva që këtë gjë ta bëjë të mundur.

“Mendoj që kemi shansin dhe mundësinë që brenda kësaj dekade ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm, në agroturizëm, në IT, edhe në eksporte bujqësore, edhe në energji padiskutim. Por energjia është një fushë ku tanimë është futur në rrugë dhe kemi të dhëna pozitive të krijuara për shkak të zonës dhe gjeografisë që kemi. Ndërsa në këtë pjesë të turizmit, IT, eksporteve bujqësore mund të bëjmë diçka që mund të jetë e një niveli të lartë. Këtë nuk e bën qeveria. Qeveria vetëm mund të vendosë objektiv për të ngritur sa të jetë e mundur mundësitë e atyre që janë protagonistët. Këtë e bën forca e shembullit që e bëni ju dhe ata si ju”, tha Rama. /tvklan.al