“Mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje, na lini ta votojmë”

“Këshillë miqësore për Lulzim Bashën” e ka quajtur Edi Rama mesazhin në Twitter, por që ngjan më tepër me një paralajmërim për kreun e PD-së, se marrëveshja e 5 Qershorit mund të anulohet. Bie në sy në postimin e kryeministrit Rama, thirrja e drejtpërdrejtë për të mos provokuar me sharje e kërcënime.

“Një këshillë miqësore për Lulzim Bashën e kolegët opozitarë jashtë Kuvendit:Lërini sharjet e kërcënimet ju lutem e mos thoni u prish marrëveshja,se ajo marrëveshje u bë me ju e për ju, jo për ne! Ne s’donim e s’duam administratë zgjedhore partiake, prandaj mos na provokoni .S’ua kemi borxh as ne, as populli jo e jo,pasi morët gjithçka deshët! Peng Kuvendin e zgjedhësit,të cilëve do t’u japim mundësinë të votojnë për deputetin e jo vetëm për partinë,nuk i merrni dot! Po mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje që e bëmë për ju po na lini ta votojmë…”

Një ditë më parë, Rama bëri të qartë se do t’i përmbahet dokumentit të aprovuar nga Këshilli Politik dhe pasi të përfundojnë procedurat parlamentare dokumenti i amendimeve do të votohet nga parlamenti.

Por njëkohësisht Rama bëri të qartë se do të miratohen dhe ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga opozita parlamentare ku përfshihet dhe hapja e listave si dhe heqja e heqja e koalicioneve parazgjedhore.

Lulzim Basha deklaroi se pikërisht heqja e koalicioneve është synimi i vetëm i Edi Ramës duke zbuluar dhe një pazar të ofruar nga kryeministri për të në këmbim të pranimit të tyre.

Tv Klan