Kryeministri: Dënoni Serbinë që shpalli 27 Shtatorin ditë zie

Kryeministri Edi Rama i bën thirrje Bashkimit Europian të hartojë një deklaratë të dytë për dialogun Kosovë-Serbi, ku të përfshijë ngjarjet e fundit në veri dhe vrasjen e oficerit të policisë. Ky është kushti i qeverisë shqiptare për tu linjëzuar me deklaratën e Jospeh Borrel.

“Ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit dhe ne e kemi të pamundur të linjëzohemi me Bashkimin Europian pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit ku ka ndodhur nja zhvillim dramatik.”

Nga Italia, ku zhvilloi një konferencë me zv kryeministrin, Rama kërkoi që BE të marrë masa ndaj Serbisë edhe për vendimin e shpalljes së datës 27 Shtator, ditë zie kombëtare për agresorët.

“Kjo për ne është e papranueshem, e pajustifikueshme, madje është e dënueshme sepse është joeuropiane dhe njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment.”

Rama bëri të qartë se për kërkesat e tjera të adresuara nga BE ndaj Kosovës dhe Serbisë, Shqipëria është në një linjë.

“Ne nuk heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të Bashkimit Eropian dhe komunitetit Euroatlantik për Kosovën.”

Shqetësim për situatën në veri të Kosovës, ka shprehur dhe zv kryeministri Italian Antonoi Tajani.

“Për sa i përket situatës në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, Italia gjithmonë ka dënuar dhe vazhdon të dënojë të gjithë aktet e dhunës. Ne punojmë për paqen dhe stabilitetin e atij rajoni. Unë fola personalisht me kryeministrin e Kosovës Kurti, me presidentin serb, Vuçiç, i ftova të gjithë për një zgjedhje që të jetë ajo e paqes, dialogut që të ndalojnë çdo veprim.”

Ndër të tjera, pjesë e diskutimeve ishte dhe çështja e pensioneve, për të cilat palët u angazhuan për një një zgjidhje sa më të shpejtë, pasi marrëveshja është thuajse gati.

Kreu i qeverisë shqiptare do të takohet edhe me homologen italiane G. Meloni.

Klan News