Rama-KuvendFjalën e tij në kuvend këtë të enjte kryeminsitri Rama e nisi me një ndjesë publike për mungesën e theksuar të etikës nga ana e tij gjatë seancës së kaluar plenare. Por edhe pas kësaj falje të adresuar vetëm për qytetarët dhe aspak për opozitën, kryeminsitri nuk nguroi t’i kundërvihet medias, duke e fajësuar për fjalorin e përdorur nga vetë ai në foltoren e kuvendit.

 “Keni të drejtë kur thoni se kur dilni në këtë foltore nuk duhet të shqetësoheni nga fjalët mbrapa, kjo nuk do ndodhi më. Ju keni të drejtë kur thoni se dhe unë në seancën e kaluar e shkela etikën, është e vërtetë, por me një dallim shumë të madh, thjeshtë ndava me kolegët e mi një moment emocional që megjithatë ju keni të drejtë kur thoni që pikërisht se ne jemi ndryshe nga ju, ne nuk duhet të bëjmë si ju. Dua t’ju kërkoj ndjesë të gjithë atyre që janë ndjerë të bezdisur nga transkriptimet e ekranit tuaj. Transkriptime shumë hileqare, por që nuk justifikojnë kryeministrin. Pavarësisht nëse u thanë me zë apo u mërmëritën pa zë” tha në fjalën e tij Kryeministri Rama.

Por kaluan vetëm pak sekonda nga apologjia dhe ja si e etiketon ish-kryeministrin.

 “Etika shkelet sa herë e merr fjalën kryeplaku juaj dhe zonja e ulur në krah të kryeplakut tuaj. Kryeplak nuk është fjalë fyese por vend pune.”

Por sqarimi që i bëri ish-kryetares së kuvendit Jozefina Topalli lidhur me termin e përdorur prej tij për opozitën, si mbeturina të komunizmit, shkaktoi reagime nga deputetët e opozitës, çka e detyroi më pas kryetarin e kuvendit të ndërpresë seancën plenare.