Rama kërkon sërish timonin e qeverisë



Rama kërkon sërish timonin e qeverisë

10:53 19/03/2021

“Më jepni timonin”. Ishte kjo kërkesa e kryeministri Edi Rama në zgjedhjet e 2017-s. E të njëjtën kërkesë, kreu i qeverisë e ka përsëritur edhe për zgjedhjet që do të zhvillohen më 25 Prill.

Rama tha se kërkon të jetë vetëm në qeveri në mënyrë që të garantojë që brezat e rinj të rriten në Shqipëri.

“Po hyrja në universitet? Me platformën sot si është? Po kur ishte? Para 700 vjetësh? Para 70 vjetësh? Para 27 vjetësh? Jo, jo, deri përpara disa vjetësh, koha kur na u hodhën në fyt, e para u hodh në fyt LSI-ja me Monikën që tundi dheun për stresin që po i krijohej maturantëve. Në fakt, ishte stresi që iu krijua LSI-së. Sepse nuk mundej më të fuste në universitet kë të donte, nuk mundej më që certifikatë hyrje për në universitet të kishte teserën e LSI-së dhe jo rezultatet e secilit të paprekshme.  Sa shumë keni vuajtur të gjithë ju që ngisni makinën? Këtu unë nuk mund të flas në emrin tuaj se unë nuk e ngas makinën, unë një timon kam, atë që më dhatë në 2017 dhe që jua kërkoj përsëri, jo për vete, por për ju dhe sepse dua që im bir, i vogli dhe gjithë bashkëmoshatarët e tij të rriten këtu e të jenë krenar këtu për shtëpinë e tyre dhe kur ta lënë shtëpinë e tyre, ta lënë sepse kanë dëshirë të shkojnë diku tjetër, jo sepse nuk i mban dot shtëpia e tyre, për këtë e dua unë timonin. E pra, timonin e makinave e keni ju, jo unë. Sa keni hequr me atë DPSHTRR, për lejet e qarkullimit, për gjithë ndërveprimet? Si i bëni sot? Revolucion! Po kush i bëri, Bill Gates? Apo i solli koha? Se disa thonë, i solli koha. Po pse i solli koha kur në drejtim jemi ne? Pse nuk i solli kur në drejtim ishin ata? Apo nuk ishte shpikur interneti? Sa herë e keni dëgjuar Shqipërinë digjitale? Shqipërinë internetuale, Shqipërinë mikrosuperfuqi globale, energjetike dhe solare? Ku ishin? Janë po ata që duan sot të rikthehen”, tha Rama.

Rama: Shërbimet online ulën korrupsionin

Këtë të premte kryeministri Edi Rama prezantoi programin qeverisës për shërbimet për qytetarët dhe bizneset.

Kreu i qeverisë u ndal tek portali e-Albania, sipas të cilit shërbimet online kanë ulur korrupsionin.

Kreu i qeverisë deklaroi se 95% e shërbimeve qytetari i ka në xhep.

“Por nuk ishte 70 vjet më parë, nuk ishte as 27 vjet më parë, ishte vetëm deri 7 vjet më parë koha kur të gjithë ju, çdonjëri prej jush për të marrë një copë letër çfarëdoqoftë që nga një certifikatë e zakonshme familjare te një dokument vërtetimi duhet të rrinte në radhë, apo e keni harruar. Kujtohuni se në sa shumë radhë iu është dashur të qëndroni, pavarësisht moshës që nga nxënësit e maturës për të shkuar në universitet, tek pensionistët në moshën më të thyer për të marrë një vërtetim pensioni. Sa shumë radhë keni bërë për çdo copë letër dhe sa herë, sa shpesh në ato radhët e bëra iu është dashur të ballafaqoheni me fytyrën indiferente, me fytyrën fyese, poshtëruese të shtetit kur iu është thënë: “ik, hajde nesër”, “ik s’kam mundësi sot”. “Ik, ik, kthehu, kthehu”. Dhe në sa shumë raste ju është dashur të paguani për të kaluar radhën, të paguani për të gjetur një rrugë më të shkurtër që ajo e shkretë copë letër që iu takon me ligj dhe me zakon t’ju vijë në dorë. E pra deri 7 vjet më parë. Po sot? Natyrisht ka ende sot, jo pak njerëz që duan të shkojnë në sportele, por faktikisht, kush nuk do të shkojë në sportel, nuk ka nevojë të shkojë sepse janë 1207 shërbime nga 3 a 4 që ishin deri para 7 vjetësh, ose e thënë ndryshe 95% e shërbimeve që bëjnë zyrat e shtetit për dokumente për qytetarët, janë në xhepin tuaj, në iphone-in tuaj ose në kompjuterin e shtëpisë tuaj. Natyrisht që e gjithë kjo, përveç të tjerave ka lidhje dhe me atë famëkeqin dhe torturuesin; korrupsionin. Ka lidhje me ato fjalë që janë bërë makthi i shoqërisë sonë për vite e vite; ryshfet, bakshish. Nëse shohim sesa shumë prej jush janë spostuar tanimë nga sportelet te ndërveprimet me shtetin online, llogaria është shumë e thjeshtë. Po aq ka rënë edhe korrupsioni, po aq ka rënë dhe fuqia e ryshfetit që ekziston patjetër, por që sot është tkurrur masivisht së paku në atë nivel ku ishte masivisht i përhapur, niveli i marrëdhënies së drejtpërdrejtë qytetar-shtet në një sportel.1% ishin shërbime online deri para 7 vjetësh. 95% janë sot, por shikoni çfarë ndryshimi. Kur ne e kemi filluar revolucionin digjital kemi numëruar gjithsej 51 mijë aplikime. Çfarë janë 51 mijë aplikime për shërbime kryesisht të pamarra asokohe, aplikime të mbetura në icloud në krahasim me 7.7 milionë aplikime të bëra në vitin 2020 me përgjigje të marrë”, tha Rama.

Rama: Shqipëria, lider në qeverisjen dixhitale në rajon

Kryeministri Edi Rama është shprehur gjatë prezantimit të programit për shërbimet e qytetarëve dhe biznesit, se Shqipëria është linder në qeverisjen dixhitale në rajon.

Në fjalën e tij Rama theksoi se sot janë 1.87 milionë të regjistruar që përdorin platformën dixhitale për shërbimet.

“50 mijë të regjistruar ishin shqiptarët në portalin që supozohej se u ofronte shërbime. Me revolucionin digjital, sot që flasim janë 1.87 milionë të regjistruar që përdorin platformën, përdorin shërbimet.  6 ishin regjistrat elektronikë që presupozohej se duhet të ndërvepronin  në platformën qeveritare.  Sot janë 55 regjistra elektronikë që ndërveprojnë në kohë reale.  Deri në 2013 numri total i transaksioneve, pra i ndërveprimeve të kryera në platformë ishin 680 mijë. Sot, shifra e fundit e 2020 është 145 milionë.  145 milionë që mund të shtohen dhe do të shtohen vijimësisht sa më shumë të rritet pjesëmarrja dhe sa më pak njerëzit në vend që të ankohen për vonesën këtu, vonesën atje, sportelistin këtu, sportelistin atje, të përdorin platformën, do të përdorin iphonin, do të përdorin kompjuterin më të afërt.  Është shumë e thjeshtë dhe më e rëndësishme akoma për një shumë të madhe dokumentesh që shteti lëshon duhej dhe duhet akoma një numër i konsiderueshëm dokumentesh të tjerë për të bërë aplikimin. Ndonjëherë shkojnë deri në 20, mesatarisht janë 7-8. Çfarë ishin këto më parë? Ishin 20 vajtje-ardhje në 20 pika të ndryshme, zyrash të ndryshme për të mbledhur dosjen. Për çdonjërin nga ju, dosjet sot i mbledh shteti për ju. 

Sot, në ato 20 pika punonjësit e shtetit nuk rrinë të presin tufat si cjapi te kasapi, por mbledhin letrat dhe përmes rrugës digjitale i çojnë në pikën e vetme ku ju shkoni për të marrë shërbimin pasi keni bërë aplikimin. Çfarë është kjo?  Ky është Revolucion.  Ky është ai revolucioni i çuarjes së tepsisë për skrap në raportin shtet-qytetar.  Ky është ai revolucioni që nuk bëhej dot deri në fund me të tjerë në prehër. Ky është ai revolucioni që ju i dhatë shtysën e fortë dhe vendimtare në 2017, ku na dhatë mundësinë që të jemi ballë përballë jush pa të tjerë në prehër, e  t’ju shohim në sy e të na shihni në sy, të marrim përgjegjësitë tona, të marrim patjetër dhe barrën për gabimet tona, por ama t’iu përgjigjemi me të gjitha me fuqitë tona”, deklaroi kryeministri.

Veç të tjerash Rama tha se ky është revolucioni që vazhdon dhe që do ta transformojë vendin në mandatin e tretë, në një vend ku shteti është i tëri në xhepin e qytetarit.

“Ky është ai revolucioni që vazhdon dhe që do ta transformojë në mandatin e tretë këtë vend në një vend ku shteti është i tëri në xhepin e qytetarit, jo për t’i marrë atij nga xhepi, por për të marrë nga xhepi i tij, nga iphoni i tij, smartphoni i tij kërkesën dhe për ta kthyer kërkesën në një dokument të plotësuar, në fakt në smartphonin e tij për qytetarin  dhe për biznesin, për të voglin dhe për të madhin, për të riun dhe për të moshuarin, për studentin dhe për fermerin, për çdonjërin në çdo pikë kontakti me shtetin. Shqipëria sot, jo se e them unë, jo se e themi ne, por në bazë të raporteve të organizatave më prestigjoze në bote që nga OKB, OECD, Departamenti Amerikan i Shtetit së fundmi dhe BE, është lider në qeverisjen digjitale në rajonin tonë, ndërkohë që ishte bishti i fundit i kavallit deri në 7 vite më parë”, tha Rama.

“Gjërat i bëmë kur hoqëm nga fyti LSI-në”, Rama: Të gjitha marrëdhëniet me biznesin, online

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë prezantimit të programit të PS për shërbimet e qytetarëve se të gjitha marrëdhëniet me biznesin do të jenë online në mandatin e tretë.

Më tej ai ka theksuar se dëshmia e penalitetit merret pa lëvizur fare nga shtëpia, edhe nëse je jashtë shtetit me pushime, pa asnjë kosto dhe brenda 5 ditësh vjen automatikisht me vulën elektronike.

Veç të tjerash Rama tha se “gjërat i bënë kur hoqën nga fyti LSI-në”.

“Sot biznesi ka një shqetësim. E kam dhe unë këtë shqetësim, nuk diskutohet, që si i bëhet që përfundimisht edhe në derën e çdonjërit që ka një biznes, të hyjë revolucioni dixhital e mos hyjnë më inspektorët, të mos hyjnë më taborët e atyre që rëndom për fat të keq vijnë për kontroll për shtetin dhe insistojnë për ryshfetin. Është edhe kjo, jo vetëm e mundur, por pjesë e planit tonë të veprimit, gjë për të cilën kemi filluar. Fiskalizimi! Të gjitha marrëdhëniet biznes – shtet, biznes – biznes dhe biznes – konsumator, të gjitha online. Një qendër, një tru elektronik, si kjo hapësirë këtu, tek Agjencia Kombëtarë e të Ardhurave ku procesohen të gjitha transaksionet që bëhen çdo sekondë në Republikën e Shqipërisë në kohë reale e nuk është më drejtori X, shefi Y, përgjegjësi XY dhe banda e tij e vockël, që vendos se ku të shkojë, ku të godasë e ku të harbojë, por është truri elektronik që jep sinjale për çdo lëvizje të dyshimtë, për çdo fluks transaksionesh në një biznes apo në një tjetër që bie papritur. 

A është një rënie që lidhet me mbylljen sot të dyqanit sepse pronari ka shkuar në dasmë, sepse larg qoftë ka pasur për të nderuar dikë në një funeral, sepse ka një arsye shëndetësore apo është një hile?  Më tutje, le t’i marrim me radhë ndryshimet që kanë ndodhur falë revolucionit dixhital. U nis me certifikatën e famshme, personale dhe familjare, vazhdoi me certifikatat e akteve të cilat printohen nga shtëpia. Pa kosto. Ju kujtohet sa duhet të paguanit për një certifikatë mbasi mbanit radhë? Ndërkohë jemi angazhuar me dixhitalizimin e të gjitha ekipeve të gjendjes civile. Nuk është një fjalë goje, është një punë super voluminoze, regjistër për regjistër, emër për emër, familje për familje, vit për vit,  në mënyrë që lëshimi i certifikatave të bëhet online, edhe për periudhën 1974 – 2010, që është periudha e fundit që ka mbetur pa u dixhitalizuar, ndërkohë që gjithçka tjetër vjen mbrapa, dixhitalizohet automatikisht.  Po për dëshminë e penalitetit? A e mbani mend apo jo se sa herë ju është dashur pa pasur fare lidhje me asgjë në të shkuarën nga pikëpamja e marrëdhënies me ligjin, por për arsye të ligjit që kërkon dëshmi penaliteti për një aktivitet apo një tjetër, për një dosje vërtetimesh, për kërkimin e një dokumenti tjetër, që kur keni shkuar për të marrë dëshminë e penalitetit, duhet të paraqiteshit në postë, duhet të paguanit 4200 lekë, duhet të prisnit 14 ditë, teorikisht 14 ditë se pritja mund të zgjaste edhe 14 muaj ose nëse do donit ta afronit tek 14 ditëshi, duhet të shkonit prapë, duhet të tundnit xhixhat, apo jo, duke rrezikuar të humbisni mundësinë për të aplikuar për atë punë të dëshiruar apo për atë licencë të kërkuar apo për çfarëdo qoftë tjetër që kërkon dëshminë e penalitetit. 

Sot, dëshmia e penalitetit merret pa lëvizur fare nga shtëpia, pa lëvizur nga vendi edhe nëse je jashtë shtetit me pushime, pa asnjë kosto dhe brenda 5 ditësh vjen automatikisht me vulën elektronike. A ju kujtohet apo jo? Nuk ishte para 70 vjetësh, ishte deri para 7 vjetësh, deri para 6 vjetësh, deri para 5 vjetësh, ishte faktikisht deri përpara sesa me ndihmën tuaj ne të hiqnim nga prehri atë gjënë, se gjë është, atë gjënë që sot është në fytin e Lulit që quhet LSI. Të rinjtë shqiptarë aplikojnë online për fondin e ekselencës, regjistrohen në shkollat profesionale, marrin vërtetimin dhe njehsimin e diplomave, por ata që e kanë kaluar këtë aventurë në të shkuarën, a ju kujtohet? Për të marrë vërtetimin dhe njehsimin e diplomës, sa mund të zgjaste? Po provimet e shtetit ku sot rezultatet e provimit i merr direkt në smartphone, ti i merr direkt në kompjuter, ti mund ti printosh, me vërtetimin me vulë elektronike.  Dëftesat do të printohen me vulë elektronike, sapo të mbarojë dixhitalizimi i gjithë sistemit para universitar dhe do të fillojnë të përdoren qysh në vitin e ardhshëm shkollor”, tha Rama.

Rama: Sistem online për gjobat, nuk do të shikoni më policë në rrugë

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka deklaruar se në mandatin e tretë sistemi i gjobave do të jetë i gjithi online.

Gjatë prezantimit të programit të PS për shërbimet e qytetarëve, Rama theksoi se me përfshirjen në sistem të monitorimit të trafikut, nuk do shohim më policë në rrugë.

“E për të ardhur tek gjobat, gjobat, ato blloku – blloku dhe komisionet, ankesat, radhët, është drejt fundit, po merr fund. Do ketë një sistem që ka filluar, por do kompletohet në mandatin e tretë ku nuk ke më lidhje, gjithçka është online dhe jo vetëm për punonjësit e policisë, por dhe për çdo qytetar me timon, gjithçka do jetë online. Punonjësi i policisë kontrollon në kohë reale statusin e targës, të lejes së drejtimit, verifikon nëse ka masa të tjera, taksa të palikuiduara e kështu me radhë. Ndërkohë që, cilido nga ata që merr një gjobë, nuk ka nevojë të shkojë në radhë tek komisioni. Të kapën në rrugën Durrës- Rrogozhinë – Lushnje, je nga Vlora apo je nga Tropoja, duhet të shkosh në Lushnje se aty është komisioni, se je kapur aty. Ndërkohë që apelimi, gjithçka online. Sot që flasim, ka ndodhur, është fakt, për mbi 50 mijë që kanë pasur pretendime për masat administrative për kundravajtjet rrugore dhe organet e Policisë kanë ndjekur pretendimin online, pa ato tmerret.

Por me përfshirjen në sistem të monitorimit të trafikut, gjë që është në proces, nuk do shikoni më policë në rrugë. Policia do vijë vetëm atëherë kur duhet të vijë për ndihmë apo vetëm atëherë kur duhet të jetë aty për shkak të një aksidenti apo të një krimi, por nuk do jetë më aty duke pritur e duke përcjellë, duke ndaluar e duke lëshuar. Gjithçka do të jetë online. Sot shërbimet e transportit janë një faqe krejt e re, sot, tani që flasim, jo nesër, por ende nuk ka përfunduar. Ende, procesi i brendshëm, i cili është automatizuar i krejt punës për aplikimet online, për thjeshtim procedurash, për dixhitalizim të dosjeve fizike, për të parë nëse ekziston apo jo një leje drejtimi, direkt aty me një klik, jo “niset te drejtoria rajonale, prit përgjigjen”. Megjithatë vazhdon. Nuk jemi të kënaqur ne që nëse dikur shërbimet merreshin pas dy javësh, tre javësh, katër javësh, shtatë javësh, sot merren brenda ditës me kosto minimale ose krejt zero.

Që një leje drejtimi më përpara bëhej për 15 ditë, 20 ditë, 30 ditë, 40 ditë, dhe xhixhat, xhixhat tek ai spahillari i famshëm, sot bëhet brenda ditës. Atëherë duhej dhe një vërtetim, 2 mijë lekë, pa kafen e LSI-së. Sot është zero. Jemi në kushtet kur në këtë fushë, mund ta plotësojmë të gjithë kuadrin pa humbur kohë, brenda mandatit të tretë. Kujt do t’ia lini? Do ktheni prap spahiun? Spahinjtë? Spahinjtë kanë qenë një çetë e veçantë e atyre ushtrive të Perandorisë që turreshin për të rrëmbyer edhe për të kapur majat dhe pushtuar kalatë”./tvklan.al







Të ngjashme