Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë gjithë fushatës së 11 Majit ka pasur një thirrje të veçantë për gratë dhe vajzat. Ato duhet të jenë në pararojë të fitores së socialistëve dhe të flasin me të gjithë familjarët e të afërmit në mënyrë që votat mos të shkojnë dëm.

Gjatë takimit në Lezhë, Rama kishte një kërkesë unike për gratë dhe vajzat: Organizimin e komplotit më të madh kundër burrave.

Duke mos iu ndarë notave të humorit, kryeministri tha se mënyra si mund të bëjnë burrat demokratë të ndërrojnë mendje më 11 Maj është vetëm duke ua marrë kalanë nga brenda. E këtë, sipas tij, e bëjnë vetëm gratë.

“Ajo që na duhet nga ju të gjitha që jeni këtu, jeni më të vendosurat. Na duhet që të flisni dhe të mos i ndaheni gjithë rrethit familjar, kunatave sidomos se kunatat janë më të rrezikshme. Mos i ndaheni gjithë rrethit familjar, mos i ndaheni shoqeve që keni në punë, që keni në lagje. Mos i ndaheni shoqeve të shoqeve dhe duhet  të organizoni komplotin më të madh që i është bërë burrave ndonjëherë në këtë vend. Se burrat tanë, burrat socialistë e dinë vetë. Puna është t’u marrim kalanë nga brenda atyre të tjerëve. Dhe kalaja nga brenda merret vetëm me gratë”, tha Rama. /tvklan.al