Mesazhe falenderimi për vizitën e Sekretarit të Shtetit Blinken

Kryeministri Rama kërkon që Samiti i NATO-s në vititn 2027 të zhvillohet në Tiranë. Në një letër falenderimi drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kreu i qeverisë shkruan se ka ardhur koha që për herë të parë ky samit të zhvillohet në kryeqytetin shqiptar, që do të ishte me rëndësi historike dhe strategjike si për rajonin ashtu edhe për Aleancën.

“Pas diskutimit tonë në Tiranë, dëshiroj të ritheksoj synimin e Shqipërisë për të pritur Samitin e NATO-s 2027, menjëherë pas atij që do të mbahet në vitin 2026, të cilin Turqia e ka ofruar bujarisht për të pritur. Si një vend aleat, Shqipëria ka treguar gjithmonë përkushtimin e saj të palëkundur ndaj unitetit dhe vlerave të Aleancës. Duke ecur përpara për të pritur Samitin e NATO-s, ajo përsërit rolin e saj si fener i vlerave dhe qëllimit të Aleancës në këtë pjesë të Evropës.”

Në prag të samitit të radhës që do të mbahet në Uashington, Rama përsëriti qendrimin e palëkundër të Shqipërisë.

“Ndërsa përgatitemi për samitin e ardhshëm të NATO-s në DC, dëshiroj t’ju siguroj për angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ne besojmë se është thelbësore të vazhdojmë të punojmë së bashku për të garantuar stabilitetin rajonal dhe për të zmbrapsur ndikimet e jashtme malinje, siç ndamë gjatë takimit tonë në Tiranë.”

Kryeministri e nis me mesazhin duke i shprehur mirënjohjen zotit Blinken për vizitën në Tiranë më 15 shkurt. Duke vlerësuar marrëdhëniet strategjike, Rama shprehu angazhimin për vijimin e reformave.

“Qeveria shqiptare mbetet e përkushtuar për të mbështetur reformën shumë të nevojshme të shtetit të së drejtës si një bazë kritike e demokracisë shqiptare dhe një shtyllë jetike në përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin. Ne njohim gjithashtu rëndësinë e punës së bashku për të reformuar sektorë të tjerë kritikë të shoqërisë, të cilët janë thelbësorë për suksesin e rrugës së integrimit të Shqipërisë në BE.”

Rama e mbyll mesazhin drejtuar Sekretarit të Shtetit me një falenderim për mbështetjen e tij të vazhdueshme në përpjekjet e Shqipërisë për të promovuar demokracinë dhe stabilitetin në rajon.

Klan News