Ka nisur puna për rijetëzimin e Piramidës së Tiranës dhe në kantierin e punës kanë qenë këtë të enjte krahas kryebashkiakut Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja Yuri Kim.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama tha se ky projekt ka qenë një ndër më të vështirët për t’u realizuar.

“Shohim nisjen e zbatimit të një projekti që është mbase një nga projektet që ka marrë më shumë kohë për të marrë formën e tyre në gjithë tërësinë e projekteve që unë mbaj mend. Ky është projekti që në këndvështrimin tim ka qenë më i vështiri për të marrë formën e dëshiruar dhe për të jetësuar harmonizimin shumë të vështirë midis të shkuarës dhe të ardhmes përmes një ndërhyrje në të tashme”, tha Rama.

Ndërkohë ambasadorja amerikane tha se populli shqiptar e ka dëshmuar se është duke e bërë vetë historinë e saj.

“Flasim për historinë në krijim e sipër që kërkon një krijues dhe historia në krijim e sipër është ajo që na bashkon sot. Si vetë diktatori dukej sikur kjo godinë tu’ thoshte njerëzve që njerëzit janë pasivë në rrjedhën e një historie brutale në të cilën njerëzit nuk kishin rol. Epo siç e dëshmoi populli në ‘91 dhe siç e tregojnë ata dhe sot, në fakt e kishin një rol. Populli shqiptar shpalli se historia e Shqipërisë është duke u bërë dhe populli shqiptar është bërësi i saj”, tha Kim.

Kryebashkiaku Veliaj tha se Piramida ka qenë peng jo vetëm i Ramës, si ish-kryebashkiak i kryeqytetit, por i kujtdo që është rritur në Tiranë.

“I thashë Edi cila është gjëja që të ka ngelur peng. Fjala e parë ishte Piramida. Nuk ka qenë vetëm peng i Edit, por i kujtdo, kujtdo që ka qenë pjesë e Tiranës, është rritur me të, apo ka rrëshqitur këtu tek Piramida”.

Veliaj shprehu mirënjohjen për qeverinë shqiptare dhe ambasadoren amerikane e tha se synimi është që Tirana të kthehet në ekosistem dixhital.

“Duam ta kthejmë në ekosistem dixhital, ku mësojnë të rinjtë si të fillojnë kompanitë e tyre, apo kompanitë teknologjike që kanë shprehur interes që të zënë vendin e tyre për të testuar produkte”, tha Veliaj.

Plani është parashikuar që të përfundojë në 2023, por Veliaj tha se si çdo projekt do të përfundojë pak më shpejt./tvklan.al