Kryeministri Edi Rama ka komentuar foton që postoi presidenti serb Aleksandar Vuçiç dy ditë më parë, ku në hartën e Kosovës kishte vënë flamurin e Serbisë. Rama tha se Vuçiç luan me kukulla në rrjetet sociale. Kryeministri ndodhej në Kukës, atje ku ka nisur vaksinimi i bluzave të bardha nga Kosova.  

“U vonua pak pala tjetër, por shumë mirë që kjo ndodhi pas asaj hartës së leshit që nxorri dje ai shoku në Beograd duke lozur me kukulla në Facebook. Ne jemi një, e ardhmja dihet se çfarë është. Për atë punojmë dhe ëndërrojmë të gjithë. Kemi qasje të ndryshme si shkohet në të ardhmen, por në të tashmen jemi një”.

Kreu i qeverisë siguroi se nëse Kosovës nuk i vijnë vaksinat, bluzat e bardha atje do të vaksinohen në Shqipëri.

“Duhet ta dini që kontratat me kompanitë e vaksinave janë shumë strikte dhe nuk e lejojnë rieksportimin. Pra një kontratë, e cila nënkupton marrjen e një sasie të caktuar në një vend nuk mund të përdoret për të nxjerrë pjesë të kësaj sasie në një vend tjetër dhe kjo është arsyeja pse kur morëm atë sasinë e parë në fillim nuk e nxorrëm asnjëherë emrin për të mos futur në sherr miqtë me kompaninë. Në këtë rast do të ishte evidente, sekret nuk do të mbahej, do të kishim penalitete të forta, por ama unë e kam thënë qysh në fillim, në Kukës është një vend i përbashkët sepse përtej faktit që jemi dy shtete dhe kemi një kufi është krejt e thjeshtë dhe e natyrshme që Kukësi të funksionojë si bazë e përbashkët. Jam shumë i lumtur që e kemi çarë bllokadën e tmerrshme të pamundësisë për t’u vaksinuar mjekët e Kosovës. I kam thënë Blerimit që jemi gati të vazhdojmë. Mjekët, infermierët punonjësit shëndetësorë nuk do t’i lemë vetëm me shpresë se vaksinat do të shkojnë së shpejti në Kosovë. Jam informuar, janë 11 mijë punonjës esencialë e Kosovës do i bëjnë nëse Kosova nëse ende nuk  kanë mundur të marrin vaksinat”. /tvklan.al