Kryeministri Edi Rama konferencën e fundvitit me gazetarët e ka nisur me Reformën në Drejtësi. Kreu i qeverisë tha se qytetarët duhet të jenë optimistë për drejtësinë e re, pasi sipas tij, sistemi po pastrohet.

Në fjalën e tij, Kryeministri tha se qytetarët kanë shumë pritshmëri, por duhet të presin se ky proces nuk bëhet sa hap e mbyll sytë.

“Dua ta nis me Reformën në Drejtësi duke pasur parasysh faktin se me të drejtë qytetarët kanë një pritshmëri të lartë prej shumë vitesh. Por ende vijojnë problemet e drejtësisë dhe drejtësia nuk ka arritur në atë pikë që të lehtësojë frymëmarrjen e qytetarëve.

Thënë këto, dua të ndaj me të gjithë se procesi i ndërtimit të një procesi të ri drejtësie nuk është një proces që zhvillohet sa hap e mbyll sytë. Nëse shohim bilancin e këtij procesi ka arsye për të qenë optimistë. Procesi ka nisur pastrimin e gjithë llumit me dekada. Nëse shohim shifrat e këtij procesi atëherë me siguri që ajo që thashë konfirmohet. Pra arsyeja për të qenë optimistë për të nesërmen”, u shpreh kreu i qeverisë.

Më tej ai citoi dhe shifrat e Vetting-ut duke thënë se më shumë janë larguar se sa janë konfirmuar në detyrë. Po ashtu sipas tij të gjithë të shkarkuarit do të përgjigjen para ligjit./tvklan.al