“Aksion në të gjithë vijën bregdetare për ndërtimet pa leje”

Kryeministri Edi Rama ishte i drejtpërdrejtë përpara krerëve të Policisë së Shtetit për të mos toleruar më abuzimin me territorin. Kreu i qeverisë tha se uniformat e rendit duhet ta konsiderojnë mbrojtjen e hapësirave publike njëlloj si luftën ndaj trafiqeve, krimit dhe korrupsionit.

“Çdo krim ndaj territorit duhet të jetë për Policinë e Shtetit i barasvlershëm me çdo aspekt prioritar të luftës së saj, që nga krimi i organizuar, tek korrupsioni dhe trafiku i lëndëve narkotike. Njësoj. Kjo duhet përcjellë në të gjithë strukturën e Policisë së Shtetit”.

Një vëmendje e veçantë sipas Ramës duhet të jenë ndërtimet pa leje për të cilat policia e shtetit duhet të marrë kontroll të plotë.

“Nuk mundet dot të lejohet asnjë milimetër i këtij vendi që të shfrytëzohet pa leje. Asnjë milimetër. Se nuk është Kina”.

Nuk la pa kritikuar edhe uniformat blu që në raste të caktuara sipas tij kanë mbyllur njërin sy përpara paligjshmërisë.

“Si mbushet një det i tërë me gurë për të bërë prita, mole e klube dhe nuk i shihka njeri, ndërkohë që avllinë e dikujt në firifistun e kapka policia e që duhet punë, duhet kohë, duhet mund të ecësh deri tek ajo avllia atje, ndërkohë që këto ndodhin spektakël para gjithë dynjasë”.

Rama paralajmëroi nisjen e aksioni të gjerë në të gjithë vijën bregdetare.

“Unë i kam kërkuar ministrit që së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm, me Drejtorin e IKMT-së, me ministrin e Turizmit të hartohet e të niset operacioni nga Velipoja deri në Ksamil. Jo në mesin e verës kur të vijnë turistët por tani, pa asnjë tolerancë e jo duke shkuar tek ndërtime që janë bërë para 20 vitesh, siç ndodhi për fat të keq në Zvërnec”.

Në fokus të policisë së shtetit do të jetë zbatimi i ligjit nga bizneset që kanë struktura në afërsi të rrugëve kombëtare për të shkuar deri tek prekja e pyjeve, lumenjve, liqeneve dhe zonat e mbrojtura natyrore e kulturore.

Tv Klan