“Janë marrë të gjitha masat në rast se do të na duhet ta përballim”

Koronavirusi ka krijuar gjendje alarmante në Itali. Megjithatë, deri më tani në vendin tonë nuk ka asnjë rast të prekjes nga ky virus. Këtë e konfirmon edhe Kryeministri Edi Rama, i cili në një reagim në rrjetet sociale shprehet se janë marrë të gjitha masat në rast të përballjes me të infektuar.

“Koronavirusi nuk e ka prekur Shqipërinë! por si për gjithë botën është një kërcënim potencial, për të cilin janë marrë të gjitha masat në rast se do të na duhet ta përballim”.

Kryeministri u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e lajmeve false dhe i siguron ata se prej kohësh, shteti shqiptar po bën detyrën për të qenë gati në rast shfaqjeje të koronavirusit.

“Të njëjtat mendje të shthurura, që ju shqetësuan keq me lajmet false dhe me gojëligësinë e tyre gjatë ditëve e netëve të gjata pas tërmetit, janë në veprim. Mos bini pre e tyre dhe jini të sigurt se shteti shqiptar po e bën prej kohësh detyrën për të qenë gati në rast shfaqjeje të koronavirusit, të cilin jemi gati ta përballim me organizim e profesionalizëm të lartë”./tvklan.al