“SHBA-ja dhe BE-ja kanë të drejtë, Albin Kurti e ka gabim”

Edi Rama ka reaguar me shpejtësi ndaj thirrjes së Josep Borrellit, duke u pozicionuar edhe njëherë njësoj si BE dhe SHBA mbi atë çka duhet të bëjnë palët për të ulur tensionet në veriun e Kosovës.

Duke ripostuar deklaratat e zyrtarit të lartë për Politikën e Jashtme Europiane, në Tëitter Kryeministri shqiptar ka kërkuar që mos të vazhdohet me absurdin që po ndiqet si nga Prishtina ashtu dhe Beogradi.

“BE-ja nuk mund të ishte më e qartë! Vazhdimi i këtij mosplani absurd duke vendosur policinë për të mbrojtur ndërtesat boshe në të cilat zyrtarët e zgjedhur nuk mund të hyjnë, dhe nga ana tjetër, vendosja e trupave të ushtrisë për të kënduar në kufirin e një vendi tjetër nuk mund të ishte më vetëshkakuese dhe më pak evropiane”.

Rama më shumë se ka një kërkesë drejtuar Kurtit e Vuçiç, ka shpresa se zgjidhja do të vijë duke dëgjuar atë çka propozojnë ndërkombëtarët.

“Shpresoj shumë që Kosova jonë vëllazërore dhe Serbia mike do ta zgjidhin këtë konflikt përpara se BE-ja të zbatojë masa të forta kundër tyre. Ata duhet të veprojnë shpejt dhe të kuptojnë se përmbushja e kërkesave të BE-së do të thotë kthim në vete si shtete evropiane përgjegjëse”.

Edhe në një intervistë për BBC, Kryeministri duke folur për situatën në veriun e Kosovës, i cilësoi të gabuara deklaratat e Kurtit sipas të cilit po ushtrohej presion i tepërt mbi Prishtinën ndërkohë që po favorizohej Beogradi nga ndërkombëtarët.

“Më vjen keq ta them, por kam saktësisht të njëjtin mendim dhe jo për shkak të ndonjë pozite servilizmi, por sepse kam bindjen se SHBA-ja dhe BE-ja kanë tërësisht të drejtë dhe Albini e ka gabim këtu, sepse nuk po përpiqen ta mbajnë Serbinë me të mirë, po përpiqen që më në fund ta çojnë Kosovën në një tjetër nivel, që do të thotë, në një shtet që njihet nga të gjithë, një shtet që mund të zërë një vend në Kombet e Bashkuara dhe në shumë institucione të tjera ku mungon”.

Rama përsëriti disa herë për televizonin britanik sesa e rëndësishme dhe sa pranë është arritja e marrëveshjes mes 2 palëve.

Tv Klan