“Ata që duhet ta kishin “kalë beteje” nuk bënë gjë”

Kryeministri Edi Rama thotë se është krenar për vëmendjen që qeveria e tij u ka kushtuar ish të përndjekurve të diktaturës duke theksuar dëmshpërblimin e plotë për ata që vuajtën në burgje.

“Besoj se mund të jemi krenar për faktin që së paku të gjithë atyre që vuajtën ferrin e burgjeve të komunizmit dhe janë ende gjallë, ja u kemi shlyer plotësisht detyrimin e marrë përsipër nga shteti në formën e dëmshpërblimit. Ndërkohë që ata të cilët kanë pasur punë të rënda, problematika që ka të bëjë me pensionin është një problematikë sa absurde por aq edhe e lidhur me aspektet e ligjit. Shpresoj që do të marrë rrugë edhe kjo”.

Rama nuk i kurseu kritikat për Partinë Demokratike që tha se nuk bënë asgjë për këtë shtresë.

Shqipëria ishte i vetmi vend në 2013 së bashku me Rusinë që nuk kishte bërë asnjë hap për të hedhur dritë mbi dokumentacionin dhe faktet që lidheshin me persekutimin. Miratimi i ligjit ndodhi 2 vite më vonë dhe çuditërisht edhe në atë rast pati rezistencë nga ata të cilët duhet ta kishin këtë projekt “kalin e tyre të betejës” për një Shqipëri më të drejtë dhe të gatshme për t’u ballafaquar me të kaluarën dhe nga ana tjetër asgjë nuk bënë realisht”.

Rama premtoi zgjidhje të burokracive për pensionet e atyre që kanë punuar në miniera apo punë të rënda. Deklaratat, kreu i qeverisë i bëri në një ekspozitë ku përmes dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit zbulohet një tjetër anë e historisë së viktimave të diktaturës.

Tv Klan