“Q

ë prej të shtunës mbrëma, ne kemi një problem me Presidentin e Republikës, ose më saktë, një problem, i krijuar nga Presidenti i Republikës, në punën tonë si shumicë qeverisëse na ka mbledhur sot, këtu.”

Problemi që Edi Rama për herë të parë zgjodhi ta ndajë me zë me publikun në parlament, është shkelja e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës duke mos dekretuar Sandër Lleshin ministër të propozuar nga ai për të zëvendësuar Fatmir Xhafajn e dorëhequr.

Edhe pse nga Presidenca që prej të shtunës thuhet se argumentet Meta ia ka shkruar Ramës në letrën ku e lajmëroi se nuk do ta dekretonte Lleshin, kryeministri zbuloi shkresën duke thënë se brenda saj s’ka asnjë argument apo reference ne kushtetute.

Lënda: Kthim përgjigje mbi propozimin e emërimit të Zotit Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm. Zoti Kryeministër, në përgjigje të shkresës suaj numër 494 datë 27.10.2018, lënda: “Propozim për emërim ministri”, nëpërmjet të cilës Zoti Sandër Lleshaj i propozohet Presidentit të Republikës për t’u emëruar Ministër i Brendshëm, dëshiroj t’ju bëj me dije se: Presidenti i Republikës, në cilësinë edhe të Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në mbështetje të Kushtetutës, nuk krijoi bindjen e plotë për t’i dhënë besimin e tij kandidaturës së Zotit Sandër Lleshaj si Ministër i Brendshëm.”Në mbështetje të Kushtetutës, por se ku është mbështetja, këtu nuk thuhet.

Në këto kushte, Presidenti i Republikës, nuk mund t’i përgjigjet pozitivisht, propozimit tuaj për emërimin e Zotit Sandër Lleshaj në detyrën e Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.

Me respekt Ilir Meta

.”

Në asnjë nga 12 kompetencat që Kushtetuta parashikon për Presidentin, Rama thotë se nuk shkruhet mosdekretimi i një ministri.

Pra, Presidenti i Republikës nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin e tij kandidaturës së Sandër Lleshit për Ministër të Brendshëm,  – në certifikatë kanë të njëjtën gjë, ky e ka Lleshaj, ai e ka Metaj – dhe prandaj nuk mund t’i përgjigjet pozitivisht propozimit tim.

Keqkuptimi i madh i Presidentit të Republikës është në faktin se unë nuk i kam propozuar atij një kandidat për ministër. Jo, unë Presidentit të Republikës i kam çuar dekretin për një ministër, jo për një kandidat. Ministër, të cilin, sipas Kushtetutës sonë, Presidenti nuk ka kompetencë ta refuzojë, por ka detyrën ta miratojë.

 

Unë nuk pata megjithatë, e nuk kam as sot, asnjë objeksion pse për gjeneral Sandër Lleshin u kërkuan letra pastërtie si për asnjë ministër në historinë e republikës, në adresa të pavizituara ndonjëherë më parë nga postieri i Presidencës, madje e falënderoj edhe publikisht Presidentin për hulumtimin tejet skrupuloz të së kaluarës së largët e të afërt të ministrit të Brendshëm që ai la pa dekretuar,  pavarësisht pastërtisë aq të stërvërtetuar të figurës së tij, sa një mendje e keqe mund të thotë, “ore, mos është pikërisht kjo pastërti kaq Skëndërbegase që e shqetëson Ilir Metën. Shefi i kabinetit të Presidentit, paska hedhur me sms dorashkën presidenciale për t’ju drejtuar grupit tonë parlamentar apo krejt Kuvendit nuk e di, me dyer të mbyllura, për të rrëfyer arsyen e vërtetë të mos dekretimit, që mos o Zot, mos qoftë ajo që unë ende se besoj që ma kanë dëgjuar veshët në takimin me të, – madje jam gati të pranoj që kam problem unë me veshët para se të pranoj ma ka thënë Presidenti i Republikës mua atë arsye, në vendin ku unë jetoj me kujtimet dhe ëndrrat e mia, – mirë se të vijë zoti President dhe të na rrëfejë me dyer të mbyllura apo të hapura, vetëm me ne apo bashkë me gjysmën e familjes sonë politike, këtu në parlament, gjithçka që e ka mbajtur përbrenda me shumë gjasë pa arritur të ma thotë dot as mua në sy.

Po mos qoftë ajo që më kanë thënë mua, larg qoftë,  se çdo gjë mund ta përballoj, por një President qesharak për atdheun tim, nuk mund të përballoj dot.”

Thënë të gjitha këto Edi Rama i kujton ish-aleatit të tij në qeveri, tanimë President të Republikës, që marrëdhëniet mes tyre që në këtë pikë kanë pësuar krisje, e cila edhe mund të fshihen nëse qëndrime të tilla si rasti i mosdekretit nuk përsëriten, mund të përkeqësohen. Edhe pse nuk e artikulon prerë ai nënkupton një iniciativë për shkarkimin e tij.

Ky është një moment delikat sepse është vënë në pikëpyetje një ekuilibër i rëndësishëm institucional i vendit. Uroj me gjithë zemër që e gjitha kjo të mos behet me një qëllim që shkon përtej dekretit për gjeneral Sandër Lleshin.

Këtë ia thashë dhe Presidentit, shumë sinqerisht. Por koha mos e sjelltë që të më duhet ta ndaj me shqiptarët përse po e bej këtë urim sot.

Krisja në këtë rast nuk është personale, as politike.

Krisja është kushtetuese dhe ne jemi këtu, mishërimi i vullnetit të popullit sovran mes dy raundeve zgjedhore, do të bëjmë çmos në radhë të parë për ta ngjitur, uroj të gjejmë edhe nga ana e Presidentit të Republikës dëshirën dhe durimin për të mos ta çuar krisjen në thyerje që sigurisht nuk do të jetë fundi i botës, por patjetër është në të mirën e vendit dhe të gjithëve bashkë që ta shmangim. Është e shmangshme.”

Kryeministri nuk përjashton mundësinë që kreu i shtetit të jetë ndikuar nga zhvillimet brenda opozitës.

“Nuk ka se si e ky duket hë për hë, si një keqkuptim i pafajshëm me Kushtetutën, në kërkim të një bindjeje të plotë, lidhur me ministrin e Brendshëm, në një moment kur gjendja e dëshpëruar e opozitës dhe humbja e plotë e qetësisë së saj e shqetëson me plotë të drejtë Presidentin e Republikës. Koha e plotë që mori Presidenti, duke shfrytëzuar edhe minutat e fundit të shtatë ditëve me radhë dhe fakti që në këtë vend ku edhe xhamia futet në thes me kollajllëkun më të madh, apo prifti bëhet me barrë me lehtësinë më të pashoqe, për gjeneral Sandër Lleshin, as Kino-SHQUPI nuk prodhoi jo ndonjë video apo audio, por qoftë dhe ndonjë llaf të rëndë goje, për 7 ditë me radhë, – nuk janë pak, si fillim i mbarë për një ministër të Brendshëm.”

Firmosja e dekretit për Elidon Bendon pas plot një viti që e mbante emrin e tij të propozuar nga Rama në tryezë, vetë kryeministri e sheh si ogur të mirë dhe për dekretimin e Ministrit të Brendshëm Sander Lleshi edhe pse jashtë afateve kushtetuese.

“Prandaj unë vetë nuk e kam humbur besimin se Presidenti i Republikës nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit mbi këtë temë, edhe pse afati ka skaduar. Ashtu siç, nuk e kisha humbur besimin se një tjetër figurë e pastër, e kyçur prej një viti në sirtarin e propozimeve për Presidentin, Elidon Bendo do të dekretohej drejtor i Shërbimit Informativ

Të njëjtën ndjesi pozitive pata edhe kur e lexova deklaratën e djeshme të Presidentit, pavarësisht mbylljes së dhimbshme të saj me atë shprehjen e bindjes “se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë.

Në një tjetër kohë dhe vend, nuk do e kisha mbytur dot brenda vetes replikën që më erdhi në majë të gjuhës për një mbyllje kaq të pazakontë për një deklaratë presidenciale. Nuk do kisha lënë po ashtu pa i komentuar edhe referencat e sforcuara që Presidenti i bën vetes si Komandant i Përgjithshëm apo Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, qoftë tek letra e refuzimit, qoftë dhe deklaratën lidhur me takimin tonë shumë pozitiv.”

Në fund një falenderim në dukje i thatë, por i përsëritur për Fatmir Xhafajn dhe vlerësimin maksimal për Sandër Leshin si figura që i duhet ministrisë së brendshme në këtë moment ku ndodhet lufta kundër krimit të organizuar dhe drogës.

Tv Klan