“Zgjerimi, mjet për të marrë peng shtetet e tjera”

Bashkimin Europian e sheh të pafuqishëm përballë asaj që e cilësoi pengmarrje të zgjerimit. Edhe nga Austria, vendi që tha se kurrë nuk e ka tradhtuar aspiratën europiane të shqiptarëve ndër vite, Kryeministri Rama e cilësoi veton bullgare pasojë të një deformimi të madh në procesin e integrimit.

“Austria kurrë, kurrë nuk e ka tradhtuar. Nuk vlen e njëjta gjë për të tjerët. Ajo çfarë ndodhi me Bullgarinë ishte simboli sesi zgjerimi është transformuar në një mjet për të marrë peng shtetet e tjera për hir të problemeve te brendshme. BE ka nevojë për Ballkanin, po aq sa ka nevojë Ballkani.”

Në krah të kancelarit austriak nga forumi “Ruajtja e së ardhmes së Europës dhe zgjerimi i BE”, Rama nuk hezitoi ta krahasojë unionin me një njeri shëndetlig.

“Të gjithë dëgjojmë që Vladimir Putin është shumë sëmurë, mund të jetë e vërtetë, mund të mos jetë e vërtetë, por nga ana tjetër nuk duket sikur BE është shumë e shëndetshme dhe se hapësira jonë është e mbrojtur mirë nga ajo çka mund të vijë”.

Nga ana e tij kancelari austriak e cilësoi absurd mos rreshtimin krah Shqipërisë duke vlerësuar përparimin e vendit tonë.

 “Sa absurde do ishte që një kancelar austriak nuk do rrinte krah Shqipërisë për tu bërë pjesë e Europës. Ne mbështetëm pavarësinë e Shqipërisë, kjo na sjell dhe më afër e tregon sa pranë njëri-tjetrin jemi. Na duhet të jemi të hapur, BE duhet të shohë se sa i madh është përparimi që keni arritur dhe njerëzit janë kaq të dëshpëruar se nuk është e ndershme që të përzihen gjërat me njëra-tjetrën.”

Në kushtet kur për Kryeministrin zgjidhja duket tejet e komplikuar brenda radhëve të Unionit, Ballkanin e Hapur e sheh si mjeti që integron brenda vetes vendet e rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Ne duam ta zbatojmë dhe për këtë kemi ndërtuar mjetin që e quajmë Ballkani i hapur. Ballkani i hapur është pikërisht ky mjet për të zbatuar Procesin e Berlinit dhe kjo është ajo çfarë do të bëjmë.”

Gjatë vizitës së tij në Austri, kryeministri Rama u njoh edhe me një shqiptare nga Maqedonia e Veriut me të cilën zhvilloi edhe një bashkëbisedim miqësor.

Tv Klan