Edi Rama mbrojti në Parlament rezolutën e socialistëve për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit, për shkelje të Kushtetutës me dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve lokale. Kryeministri tha se qëllimi i vërtetë i këtij vendimi, që sipas tij e ka bërë Ilir Metën bashkë me Sali Berishën, nuk është të pengojë zgjedhjet lokale.

Kryeministri thotë se në planin e Metës e Berishës, që fshihen pas Lulzim Bashës e Monika  Kryemadhit, është pengimi i reformës në drejtësi. Sipas tij, ata do të jenë edhe viktimat e parë kur ajo të nisë të funksionojë realisht.

Rama jep dhe arsyet përse është i vendosur për ta penguar këtë plan.

“Meqë bëhet një përpjekje e madhe për të m’i faturuar mua zgjedhjet pa kundërshtar duke e trajtuar si pasojë të kokëfortësisë, madje deri edhe të një qëllimi të fshehtë për të provokuar një konflikt civil. Çfarë interesi vetjak kam unë që të jem kaq i patundur nga bindja se kjo s’është koha për asnjë kompromis por është koha për fushatë dhe zgjedhje në 30 Qershor? Këto zgjedhje janë vendore. Pse jemi të detyruar ta provojmë zgjedhjen fatale të gabuar të kundërshtarëve tanë për të na lënë me një kandidat në pjesën më të madhe të bashkive të vendit. Duke shkuar në zgjedhjet e 30 Qershorit me këtë dhimbje koke ne që nuk garantojmë dot larminë e plotë pluraliste të produktit të zgjedhjeve. Me shumë gjasa produkti i këtyre zgjedhjet do të jetë hartë elektorale thuajse 100% e purpurt. Por kjo nuk do të ndodhë sepse ne jemi që nuk na pëlqen që të ketë garë në çdo bashki. Nuk është plani ynë ky. Ky është plani i tyre dhe ne nuk kemi në dorë përveç se ta pranojmë realitetin siç është duke mos rënë në kurthin e dritëshkurtësisë fatale se qëndrimi në proces na bën bashkëfajtor me ta. Ne jemi thjesht viktimë e zgjedhjes së lirë të kundërshtarëve tanë për të braktisur garën. Akti i Ilir Metës është prova më ulëritëse e lepurit që fle në barkun e frikës jo vetëm nga zgjedhjet por edhe nga drejtësia. Jemi të detyruar të marrim këtë kosto. Zgjedhje të 30 Qershorit pa ata janë e keqja më e vogël. Ndërsa shtyrja e këtyre zgjedhjeve do të ishte një e keqe e madhe me efekt të zgjatur mbi Shqipërinë”.

Kryeministri ironizon vendimin e Presidentit, teksa thotë se ka shpikur një nocion kushtetues të panjohur më parë me dekretin e tij të ri. U mor gjatë me analizimin e karrierës politike të Ilir Metës dhe filozofisë se e ka drejtuar gjatë saj dhe tha se ai është problemi i vetvetes.

“E pyes veten çfarë kërkon Meta nga Shqipëria? Kujt i ka bërë Shqipëria më shumë ndere sasa këtij njeriu, të cilin pa mbushur ende 50 vjeç e ka bërë si askënd tjetër edhe Kryeministër edhe Kryetar Kuvendi dhe President? Kujt më shumë se Ilir Metës i janë falur, hilet, e skandalet dhe i është dhënë mundësia të rilindë, i kthjelluar dhe i burrëruar. Kujt përpara Ilir Metës i takon të pyesë veten çfarë mund të bëjë që t’ja laj sadopak Shqipërisë detin me borxhe që u ka”?

Kryeministri shpjegoi edhe arsyet përse e kishte, votuar Metën për President dhe pse tani ai duhet shkarkuar.

E mbyll fjalimin e tij me një urim për kreun e shtetit.

Duke shprehur keqardhjen time për të si njeri, si kundërshtar, si aleat, i uroj sot me gjithë zemër ta lexojë me qetësi rezolutën e këtij Kuvendi”.

Tv Klan

 

Pjesë nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në Parlament:

Në vigjiljen e debatit mes vendeve anëtare të BE, për çeljen ose jo të negociatave të Shqipërisë në BE ky Kuvend sot duhet të ishte Kuvendi i bashkimit dhe opinionit të njëzëshëm të të gjitha forcave politike dhe të tërhiqte në emër të popullit shqiptar vëmendjen të gjitha shteteve anëtare të BE. Duhet tu drejtohej me një rezolute atyre vendeve për tu kërkuar çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE.  Por fatkeqësisht ky Kuvend është i detyruar të merret me një akt brutal, të papërgjegjshëm dhe të patolerueshëm të Ilir Metës. E pyes veten çfarë kërkon Meta nga Shqipëria? Kujt i ka bërë Shqipëria më shumë ndere sasa këtij njeriu, të cilin pa mbushur ende 50 vjeç e ka bërë si askënd tjetër edhe Kryeministër edhe Kryetar Kuvendi dhe President? Kujt më shumë se Ilir Metës i janë falur, hilet, e skandalet dhe i është dhënë mundësia të rilindë, i kthjelluar dhe i burrëruar. Kujt përpara Ilir Metës i takon të pyesë veten çfarë mund të bëjë që t’ja laj sadopak Shqipërisë detin me borxhe që u ka?

Shkelmoi të mirën e tij, fatin e tij duke u bërë protagonisti i një skene ku Metës asnjëherë si mjafton vendi që ka, maja ku ngjitet. Jo President Republike, po mbret të të gjithë shqiptarëve po ta shpallin, jo vetëm të Shqipërisë por edhe të gjithë trojeve Ilir Meta nuk do qëndronte drejt me pangopësinë e tij të pashpjegueshme.

Për cilën arsye në botë Presidenti duhej të bashkohej me zjarrvënësin, Sali Berishën, në përpjekjen e dëshpëruar të këtij të fundit për të djegur Shqipërinë. Për cilën arsye Presidenti duhet të merrte përsipër shkeljen më skandaloze të Kushtetutës. Ka vetëm një arsye që i shpjegon me dy fjalë, Ilir Meta! Të kërkosh jashtë këtyre dy fjalëve është e tepërt. Por kjo punë e kërkon që t’u shpjegojmë shqiptarëve se si e qysh erdhi puna deri në këtë pikë vlimi në kazanin e jetës sonë politike. Pse u përdor apo keqpërdor Presidenti duke kapërcyer mbi Kushtetutën për të vrarë zgjedhjet në mes të fushatës. Dhe pse ne nuk e shfrytëzuam mundësinë për të ndaluar fushatën dhe pritur si gomari që të mbijë bari ditën kur do t’i mbushet mendja partive për të pasur një datë të re zgjedhjesh. Meqë bëhet një përpjekje e madhe për të m’i faturuar mua zgjedhjet pa kundërshtar duke e trajtuar si pasojë të kokëfortësisë, madje deri edhe të një qëllimi të fshehtë për të provokuar një konflikt civil. Çfarë interesi vetjak kam unë që të jem kaq i patundur nga bindja se kjo s’është koha për asnjë kompromis por është koha për fushatë dhe zgjedhje në 30 Qershor? Këto zgjedhje janë vendore. PS në nivel vendor drejton pothuajse shumicën e bashkive. Qeveria ka 1001 probleme, ekonomia goditet nga ky tension i lartë artificial, turizmi dëmtohet. Qetësimi i situatës duket si gjëja më e lehtë. Atëherë për çfarë më duhet mua personalisht meqë shumëkush preferon të më drejtohet personalisht? Madje madje, për rehatinë dhe karrigen time do të isha i pari që të hidhesha përpjetë nga gëzimi. E quaja një shpërthim gjenialiteti politik dhe lanim duart me procesin zgjedhor, duke thënë bravo President. Ose ja lija fajin Ilirit për ndërprerjen brutale të fushatës, ngrija duart lart përpara shqiptarëve, dhe dilja si një burrë i urtë e i pafajshëm. Sikur të isha siç dal te filxhani i fallxhores, shpëtoja dhe unë bashkë me PS nga zgjedhje të tjera të mëtejshme.

Përpara se të vijmë tek halli i madh që ka zallamahisur opozitën, dua të bëj sa më të qartë pse ne nuk ka asgjë që na tund nga 30 Qershori. Pse jemi të detyruar ta provojmë zgjedhjen fatale të gabuar të kundërshtarëve tanë për të na lënë me një kandidat në pjesën më të madhe të bashkive të vendit. Duke shkuar në zgjedhjet e 30 Qershorit me këtë dhimbje koke ne që nuk garantojmë dot larminë e plotë pluraliste të produktit të zgjedhjeve. Me shumë gjasa produkti i këtyre zgjedhjet do të jetë hartë elektorale thuajse 100% e purpurt. Por kjo nuk do të ndodhë sepse ne jemi që nuk na pëlqen që të ketë garë në çdo bashki. Nuk është plani ynë ky. Ky është plani i tyre dhe ne nuk kemi në dorë përveç se ta pranojmë realitetin siç është duke mos rënë në kurthin e dritëshkurtësisë fatale se qëndrimi në proces na bën bashkëfajtor me ta. Ne jemi thjesht viktimë e zgjedhjes së lirë të kundërshtarëve tanë për të braktisur garën. Akti i Ilir Metës është prova më ulëritëse e lepurit që fle në barkun e frikës jo vetëm nga zgjedhjet por edhe nga drejtësia. Jemi të detyruar të marrim këtë kosto. Zgjedhje të 30 Qershorit pa ata janë e keqja më e vogël. Ndërsa shtyrja e këtyre zgjedhjeve do të ishte një e keqe e madhe me efekt të zgjatur mbi Shqipërinë. Me këtë problem të pashmangshëm do të ligjëronim faktin se zgjedhjet mos ishin më e drejta e popullit për të gjykuar, por e drejta e partive për të vendosur se kur bëhen zgjedhjet. Kjo që po ndodh nuk është as e pandodhur, as e papritur në historinë tonë, madje kjo është seria e dytë e filmit që ka filluar dy vite më parë.

Kodi Zgjedhor ka 2 data dhe thotë konsultohu me partitë politike. 2 vjet më parë kur arritëm marrëveshjen me Lulzim Bashën dhe ramë dakord për shtyrjen e një javë të zgjedhjeve, paraardhësi i Metës, Bujar Nishani na i kërkoi me shkrim dhe me firma dakortësinë për atë shtyrje me një javë, e cila u krye vetëm pasi shkoi letra e bashkëfirmosur nga Presidenti.

Nëse duam të bëjmë shtet të së drejtës, kurrë s’mund dhe sa të jem këtu kurrë s’do ta pranoj që politikanët ta kthejnë detyrimin e çdokujt për t’u zgjedhur nga populli në të drejtën se kur mundet dhe s’mundet që t’i zgjedhë ata. Bujar Nishani nuk e interpretonte Kushtetutën sipas dëshirave apo nevojave të partisë. Asnjëherë nuk ja vuri Kushtetutën dhe firmën në dispozicion të axhendës politike të asaj partie. 

U desh të bëhej President Ilir Meta, që dhe Bujar Nishanin Presidentin më partiak dhe mediokër që ka pasur ky vend, ta kujtojmë për mirë. Ne do të ecim jo për ti dalë zot zgjedhjeve të 30 Qershori, por për ti dalë zot Shqipërisë, por politikanë si këta e kanë damkosur jo vetëm në këto 30 vite, por si vendi që nuk bëhet. Këta janë në hall dhe duan që halli i tyre të kthehet në problemin e të gjithë shqiptarëve. Nuk dorëzohem asnjë herë përballë të keqes që e ka ngrënë këtë vend di kancer për vite dhe për dekada.

Po të kthehesha prapë në kohë, do bëja prapë të njëjtën gjë. Ilir Meta u zgjodh President me votat e tij. Këtë është mirë ta kujtojnë të gjithë. A e kam imagjinuar kur e zgjodhëm se Iliri do ta kthente humbjen e tij të vetëkontrollit në një mjet sistematik për të çoroditur sistemin tonë kushtetues, jo! Nuk e kisha imagjinuar. Kjo ka kaluar përtej çdo imagjinate të tolerueshme. Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit me pëlqimin tonë. Duke shprehur keqardhjen time për të si njeri, si kundërshtar, si aleat, i uroj sot me gjithë zemër ta lexojë me qetësi rezolutën e këtij Kuvendi. /tvklan.al