Kryeministri Rama e nisi vizitën e punës në Athinë me çeljen e një ekspozite me vepra artistike të realizuara prej tij, në Zappeion Megaron, e cila u mirëprit dhe vlerësua nga të pranishmit, personalitete të larta të politikës greke, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, Ministri i Punëve të Jashtme  Nikos Dendias, si dhe artistë dhe politikanë të tjerë.

Kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij u shpreh mirënjohës dhe ndau me të pranishmit përjetimet e tij. Ai u shpreh se vendi i parë që ka vizituar pas komunizmit ka qenë Greqia dhe nuk e kishte menduar kurrë se do të pritej në pallatin ku zhvillohej ceremonia nga ministri i Jashtëm grek dhe se do të shkonte aty me makinë me autokolonë.

“E përjetoj vërtet me shumë përulësi që pritem në këtë pallat të mrekullueshëm që ka një histori të jashtëzakonshme dhe më lini të ndaj me ju diçka shumë personale. Dje, kur isha në makinë duke shkuar drejt Vuliamenit, mu kujtua një taksi që kisha marrë një vajtje-ardhje për në Vuliameni dhe më pas në Sandro të Athinës, ato ditë të hershme të lirisë sonë, kur vendi i parë që vizitova si njeri i lirë, jo si sportist që përfaqësonte një vend që nuk ishte i lirë, por një vend si njeri i lirë, ishte Greqia dhe Korfuzi. Nga Korfuzi, ku më pritën disa kushërinj të nënës sime, fluturova për në Athinë, ku më pritën disa kushërinj të tim ati. Jeta është e pabesueshme. Kurrë nuk ma kishte marrë mendja se do të pritesha në këtë pallat, se do të vija me një makinë me autokolonë dhe se mikpritësi do të ishte një ministër i Jashtëm. Ç’të them?! Jam vërtet falënderues dhe mirënjohës.  Ajo çfarë do të shihni sonte, shpresoj të flasë vetë. Nuk dua të flas shumë për të. Nuk mendoj se arti ka nevojë për artistin ta përkthejë. Arti fletë vetë. Siç ka thënë edhe Edgar Degas, arti nuk është t’u tregosh njerëzve atë që sheh, por është t’u tregosh atë që nuk shohin, kështu që, çdokush është i lirë të shohë çfarëdo që dëshiron. Arti im është abstrakt, me disa kujtime aty-këtu dhe është mjaft demokratik, në kuptimin që i lejon gjithsecilit të mendojë e të shohë gjith’ çfarë dëshiron”, tha Rama.

Ai nuk harroi të falenderonte edhe bashkëshorten e tij për të cilën tha se deri më tani ka fituar në garën mes të dyve si artisë, sepse ka krijuar një kryevepër, Zahon.

“E dini, modestia nuk është pika ime më e fortë, por më duhet ta pranoj publikisht se nuk do të isha ky që jam pa dikë që kujdeset për mua, që më duron, që më ndihmon me durim të bëhem një njeri më i mirë. Ajo është Linda, gruaja ime, e cila e ka fituar deri më tani garën midis të dyve si artistë, sepse ka krijuar Zahon, që është një kryevepër, për të cilën jam i sigurt që edhe Fidia do të ishte xheloz për Lindën e jo më unë”, tha Rama.

Në fund, kryeministri theksoi se nuk është ndjerë kurrë i emocionuar sa në atë ceremoni pasi nuk foli thjesht si politikan, por rrëfeu si artist.

“Faleminderit. Më duhet të rrëfej, përpara se të mbyll fjalën, se me kaq shumë fjalime sa kam mbajtur, në kaq shumë raste, kurrë, thuajse kurrë nuk jam ndjerë i emocionuar kaq thellë, por sonte jam thellësisht i emocionuar dhe kjo nuk është një fjalë prej politikani, por një rrëfim prej artisti”, tha Rama.

Në ceremoninë e mikpritjes, Ministri i Punëve të Jashtme  të Greqisë Nikos Dendias u shpreh se përzgjedhja e Zappeion Megaron, e cila është pjesë e trashëgimisë kombëtare të qytetërimit grek, për të çelur këtë ekspozitë, mbart një simbolikë shumë të fortë dhe e qartë. Ai theksoi se Greqia e sheh Shqipërinë si një fqinj dhe mik të ngushtë duke shpresuar që së shpejti ajo të jetë një anëtare e familjes evropiane.

“Ky është pikërisht vendi ku në vitin 1979 u nënshkrua Traktati i Anëtarësimit në atë që ishte Komuniteti Ekonomik Europian asokohe. Isha një student shumë i ri i Universitetit të Athinës, që ndodhet diku atje, përtej kolonave, që shihja Georgios Ralis dhe Konstantinos Karamanlis që hidhnin firmën pikërisht këtu. Kështu, ky është pasqyrim i mënyrës si e shohim Shqipërinë, një fqinjë, një mike të afërt dhe, më lejoni ta them, shpresoj, së shpejti, si pjesë e familjes sonë të përbashkët europiane”, u shpreh Dendias./tvklan.al