Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me studentet e Universitetit të Prishtinës ka treguar detaje nga nisja e karrierës së tij politike. Kreu i qeverisë u shpreh se kur ka nisur të merret me politika ka pasur vath në vesh dhe dhëmbë origjinal.

“Unë dua t’u them se unë nuk do isha marrë me politike nëse do kisha lindur në Francë, Gjermani apo Amerikë. Por nuk do isha marrë me politikë nëse historia nuk do ishte ndërthurur me jetën time, pasi nuk kisha menduar kurrë që do vishja kostum. Kur jam përfshirë në politikë, kam pasur vath në vesh, kam pasur dhëmbë origjinal se këta janë të bëra nga dentisti.

Kam pasur flokë më shumë se të gjithë ju këtu. Këto kanë ndodhur shumë më përpara dhe nuk e kisha menduar kurrë që do të isha këtu. Unë kurrë nuk bëj asgjë nëse nuk e besoj. I rashë gjatë për të thënë se e besoj 100% se rruga e vetme për të dalë nga inercia e riprodhimit të historisë dhe për të krijuar mirëqenie është Ballkani i Hapur për ne.

Kosova duhet të lëvizte lirisht prej disa vitesh pa viza, jeni i vetmi komunitet në Evropë që lëvizni me viza. Jeni i vetmi që NATO e ka çliruar nga një diktaturë. Gjyshërit tuaj dhe prindërit tuaj jetonin nën pushtetin e Millosheviçit dhe lëviznin lirisht në të gjithë Evropën, ndërsa sot ju nuk lëvizni dot sepse Evropa nuk e mban fjalën”, tha Rama./tvklan.al