Letrën e Lulzim Bashës, drejtuar jo atij, por qytetarëve, Kryeministri Edi Rama e ka parë si një hapësirë për të vijuar të këmbëngulë për nisjen e dialogut mes tyre. Ndaj dhe mëngjesin e kësaj të premteje ka nisur letrën e tij të tretë në adresë të kryedemokratit.

“Për hir të njerëzve që me plot të drejtë presin nga udhëheqësit e çdo pale Dialog Politik, unë po e konsideroj mesazhin Tuaj një mundësi për të nxitur Dialogun. Aq më mirë që njerëzit mund të na lexojnë të dyve”.

Por pavarësisht lutjeve për dialog pa kushte, Rama thotë se opozita s’ka asnjë shans të pengojë zgjedhjet, apo të ndryshojë qeverinë pa zgjedhje.

“Duke Ju ftuar përsëri në Tryezën e Dialogut, Ju lutem të mos harroni ndërkohë se po nuk u kthyet në realitet, përtej dëmit që mund t’i bëni vendit dhe atyre pak individëve kokënxehtë, të cilët mbase për të keqen e tyre mund të shkojnë deri në fund pas berihajit ku po i udhëhiqni, Ju s’keni asnjë shans të pengoni 30 qershorin të vijë për ata që duan të votojnë. Asnjë shans të ndryshoni qeverinë pa zgjedhje. Asnjë shans të më ndaloni mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë të kryejmë misionin historik të transformimit europian të Shqipërisë”.

Kërkesën për dorëheqje e refuzon kategorikisht, ndërsa sjelljen e opozitës e lidh sërish me frikën nga Reforma në Drejtësi.

“Ju jeni i trembur! Keni frikë nga zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe përfaqësoni një grupim që udhëhiqet nga frika e kësaj reforme qysh ditën e parë të nisjes së saj. Kështu që i dashur Lulzim, shkeputu nga krahët e mllefit që ta ka çuar për pambuk logjikën, çlirohu nga paniku i humbjes që të rri shkruar mbi ballë, mbaje për vete e për Plakun tënd Digjital frikën nga Reforma në Drejtësi dhe bëj atë që bën çdo udhëheqës në këtë situatë të padëshiruar: Ulu në Tryezën e Dialogut! Shqipërisë i duhen kundërshtarë politikë që dinë të arsyetojnë, jo kalamaj në formë burrash që luajnë luftash në dëm të saj”.

Për akuzat që Basha i adresoi në letrën e tij, Rama thotë se do ta padisë për shpifje. Dhe i kujton se veçse po dëmton Shqipërinë, ndonëse nuk bind dot asnjë ndërkombëtar.

Tv Klan