Nuk preken pagat. Ndërtuesit të japin 3 % e banesave sociale

Menjëherë sapo presidenti të nxjerrë dekretin për buxhetin e vitit 2020 do të lëvrohet fondi i për rindërtimin, që është 20 miliardë lekë.

Në mbledhjen e dytë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Kryeministri iu kujton ndërtueseve që të respektojnë ligjin dhe 3 përqind të ndërtimeve të tyre t’i rezervojnë për banesa sociale. Aktualisht, sipas Kryeministrit, janë afro 15 mijë metër katror, që ndërtuesit i detyrohen kësaj kategorie, në bazë të detyrimit ligjor.

Për banesat individuale në zonat rurale, Kryeministrit propozon për blerjen e ndërtesave të gatshme me materiale antisizmike dhe ekologjike, modele që i janë sugjeruar në samitin e Stambollit.

Për blerjen e tyre, Rama thotë se mund të orientohen dhe të ardhurat e mbledhura nga donacionet, shifra e të cilave, edhe pse është e konsiderueshme, nuk bëhet ende publike.

Përsërit rëndësinë që ka përfshirja në ligj e sigurimit të detyrueshëm të banesave. Kryeministri kërkon të tregohet kujdes për bërjen e inventarëve për çdo banesë të dëmtuar pasi ka shenja abuzimi sipas tij.

Një mënyrë shumë e besueshme për skanimin e strukturave të ndërtesave, sipas Kryeministrit është dhe ajo që po kryen një grup inspektimi nga Izraeli, që ai e ndoqi nga afër gjatë paradites së hënë në Durrës.

Me këtë kamera termike ata kanë arritur të vlerësojnë se shumë struktura pallatesh kanë qenë të padëmtuara, pavarësisht shembjeve të mureve.

Tv Klan