Nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e një ligji organik për institucionin e Presidentit, që qartëson kompetencat formale dhe substanciale të tij, në mënyrë që sipas tij në të ardhmen të mos ketë “çudira” si ai i çdekretimit të zgjedhjeve të vendore të vitit të shkuar dhe emërimin e gjyqtarëve kushtetues.

“Unë e para ju them atyre që e komentojnë këtë vendim si ndryshim të kursit tonë në raport me Ilir Metën, jo nuk është i tillë. Ne kemi menduar që Ilir Meta duhej shkarkuar, ne mendojmë që Ilir Meta duhet shkarkuar, por ne jemi ndryshe. Sepse ne nuk themi jemi vetëm ne dhe bëjmë si të duam, Komisioni i Venecias na e ka vënë këtë fjali para syve, që shkeljet janë, por jo aq të rënda… Ne mendojmë se janë shumë të rënda, por në respekt të një të vërtete të thjeshtë që ne asnjëherë nuk i kemi thënë vetes që ne jemi të pagabueshëm dhe asnjëherë nuk i kemi ngritur vendimmarrjet tona mbi idenë e pagabueshmërisë tonë. Mbase kanë të drejtë ata, mbase kanë ata. Unë mendoj që ne kemi të drejtë, ama në këtë rast ne nuk përfaqësojmë thjeshtë dhe vetëm disa njerëz, ne përfaqësojmë shtetin shqiptar, qeverinë e shtetit shqiptar.

Ilir Meta meriton të shkarkohet sipas këndvështrimit tonë, por përderisa kemi këtë rekomandim nga Venecia dhe kemi shkuar tek Venecia dhe e kemi vlerësuar gjithmonë Venecian si një këshilltar të mirë, të urtë dhe të distancuar, atëherë i nënshtrohemi kësaj dhe në fund të fundit çfarë iku. E rëndësishme është çfarë vjen të mos sjellë të reja nga fronti i shkeljeve dhe i vandalizmave antikushtetues në zyrën e presidentit. Prandaj ligjin organik për presidentin dhe të gjitha ndërhyrjet e tjera të nevojshme, që nëse presidentit i qëllon që ta ketë hënën mbrapsht, në një kohë kur popullit shqiptar i duhet të shkojë në zgjedhje dhe bën përsëri çudi të atillë, apo çudira tjera që as na shkojnë në mendje se nuk i kanë shkuar në mendjen atyre që kanë shkruar Kushtetutat, është e shkruar aty dhe mbaron”.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese të parashikuara për votim më 30 Korrik, Rama tha: Së dyti 30 Korriku, Kushtetuta e ka të shkruar e zeza mbi të bardhë, Presidenti nuk ka asnjë të drejtë mbi vendimin e parlamentit për ndryshimin e kushtetutës, nuk është si me vendimet e tjera, as nuk i kërkohet fare të ketë një opinion, thjeshtë duhet ta pranojë siç duhet ta pranojnë të gjithë.

Kuvendi po diskuton sot në seancë plenare raportin e Komisionit Hetimor të ngritur për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit Ilir Meta. Në fjalën e tij kryetari i Komisionit Hetimor, Ulsi Manja u shpreh se presidenti Ilir Meta ka kryer shkelje kushtetuese me veprimet dhe mosveprimet e tij, në rastin e çdekretimit të datës së zgjedhjeve vendore të vitit të shkuar, si dhe në emërimin e gjyqtarëve kushtetues, por duke theksuar se ato nuk janë aq të rënda sa për shkarkimin e tij./tvklan.al