“Në 30 Korrik ne do të votojmë, as më pak e as më shumë, ato që kemi rënë dakord. Listat do të hapen dhe koalicionet do të ndërtohen si kudo në Europën ku duam të integrohemi”.

Me këto fjalë e mbylli Kryeministri Edi Rama fjalën e tij në Kuvend këtë të hënë. Kreu i qeverisë tha se votimi për ndryshimet kushtetuese, i parashikuar më 30 Korrik do të bëhet. Ai nuk e përjashtoi mundësinë e hapjes së listave në 100 përqind, por theksoi se kjo bëhet me diskutime e jo ultimatume.

“30 Korriku nuk lëviz të jemi të qartë. Pastaj problematikat, hapja e listave, ne themi jo më pak se 2/3, po jo më pak se 2/3 nuk do të thotë që nuk është as 100 përqind, patjetër që mund të jetë. Edhe 100 përqind. Por kjo bëhet me diskutim, jo me ultimatume, edhe me statuse, edhe me çfarë vendosi ajo që quhet opozita e bashkuar. Sepse nëse ajo është opozita e bashkuar, atëherë Myslymi dhe ju jeni bashkimi opozitar”.

Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës jashtë parlamentare se mazhoranca kërkon të heqë koalicionet, duke thënë se “të drejtën për t’u bashkuar nën një çadër ne nuk do ta heqim, por edhe këtë do ta sanksionojmë në Kodin Zgjedhor“.

E dyta, koalicionet. Vazhdojnë prap: duan të heqin koalicionet, duan të ndalojnë koalicionet, e rrokanisën dynjanë me email-e. Jo. Të drejtën për t’u bashkuar nën një çadër ne nuk do ta heqim, por edhe këtë do ta sanksionojmë në Kodin Zgjedhor. Nuk është Kushtetuta rregullore ushtarake, pavarësisht se me president si Ilir Meta, je i detyruar që të mendosh që ta kthesh Kushtetutën në rregullore, por nuk është rregullore. Kështu që edhe këtë do ta shohim në proces dhe sigurisht që janë të ftuar, të mirëpritur të na bashkohen në diskutim, të na sjellin opsionet e tyre.

Ka kohë dhe gjithë vullnetin tonë për të diskutuar, ne na gjeti ky taksiratë me një opozitë brenda dhe një jashtë. Do ta mbajmë deri në fund, por duke ia bërë të qartë të dyja opozitave se as njëra e as tjetra nuk mund t’i kërkojë të gjitha siç i duan vetë. Dhe duke ia bërë shumë të qartë atyre që janë jashtë, që fakti që janë jashtë nuk u jep ndonjë pushtet të veçantë mbi ne që jemi këtu në sallë, përkundrazi. Kështu që duke qenë se janë jashtë, që këtu në sallë vendosen gjërat. /tvklan.al