Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të martë skuadrën e PS-së në Tiranë për zgjedhjet e 25 Prillit. Kreu i qeverisë ishte në mes të dy emrave surprizë të këtyre zgjedhjeve Luljeta Bozos dhe Najada Çomos.

E sipas Ramës kjo zgjedhje nuk është e rastësishme për dy arsye. E para sipas tij është e nevojshme të adresohet përfaqësimi tek kategoria e profesionistëve që kanë pasur rol tek tërmeti dhe pandemia, por edhe vullneti i qeverisë për të çuar në fund këto sfida të nisura.

Për tërmetin Rama tha se të gjitha gjurmët do të zhbëhen pranverën e ardhshme, ndërkohë qeveria do të sigurtë daljen nga pandemia.

“Luljeta me Najadën nuk janë zgjedhje të rastësishme. Cfarë do të kishim bërë, si do të mund ta përballonim si shoqëri goditjen nga virusi nëse nuk do të kishim bërë gjithë ato punë të mëdha që janë bërë në sektorin e shëndetësisë. Është e paimagjinueshme ta mendosh që çfarë mbështetje, përkujdesje, mundësie do të kishte sistemi ynë shëndetësor, për t’u qëndruar mjekëve, infermierëve dhe sallat e reanimacionet nëse virusi do të kishte zbritur disa vite më parë, kur sistemi ynë ishin në një gjendje, të thuash e mjerueshme është pak. Prania e Luljetës dhe Najadës në këtë skuadër, është adresimi i nevojës së përfaqësimit tek kategori e profesionistësh dhe individësh që kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në këto 15 muaj të fundit nëse nisemi që nga tërmeti dhe nga ana tjetër është shprehje e vullnetit tonë për të çuar deri në fund përballjet e nisura dhe që janë në vijim qoftë në zhbërjen totale të gjurmëve të tërmetit gjë që besoj fort që do të jetë realitet në pranverën e ardhshme kur do të jenë kryer punët e nevojshme për të sistemuar familjet që kanë nevojë për shtëpi të re, qoftë për të dalë për të dalë përfundimisht nga tuneli i kësaj pandemie e cila e ka shtrënguar fort hapësirën e gjithë aktivitetit normal të vendit dhe të njerëzve. Mendoj që kemi arsyet të ndihemi krenarë për çfarë kemi bërë dhe të ndihemi të sigurtë për atë që vjen”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria është në rrugën e duhur për ta bërë Shqipërinë të ardhmen e fëmijëve tanë.  

“Besoj që përtej këtyre dy sfidave të mëdha që janë në syrin e përditshëm në të gjitha drejtimet e tjera jemi në gjendje të themi me plot gojën që çka është bërë është provë e faktit se ku duam të shkojmë dhe e dimë si do të shkojmë aty ku duam për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë, për ta bërë Shqipërinë zgjedhjen e parë të kujtdo”, tha Rama./tvklan.al