Vijojnë replikat mes Ramës e Bashës për raportin e Dick Marty-t për UÇK-në. Rama ka akuzuar kryetarin e PD-së se ka marrë në pyetje shqiptarët për llogari të Marty-t.

“Pse Beogradi nuk e donte raportin e Dick Marty prandaj e miratuat ju Lulëzim! Dhe meqë ra fjala a është e vërtetë që ke përdorur maskë qysh atëherë, kur merrje në pyetje shqiptarët për llogari të zotit Dick apo edhe kjo është sajesë e Beogradit? Fol Lulëzim, thuaje të vërtetën”, shkruan Rama.

Lulzim Basha reagoi menjëherë dhe tha se Rama nuk ka lidhje me të vërtetën. Sipas tij ai ka gënjyer për të gjitha premtimet dhe ka ardhur momenti të largohet.

“Cfarë lidhje ke ti me të vërtetën, Edi Rama? Premtove shëndetësi falas- gënjeve. Premtove 300 mijë vende pune-gënjeve. Papunësia në Shqipëri arriti majat. Premtove se do ulësh çmimet e ushqimeve dhe ilaçeve-gënjeve. Çmimet vetëm janë rritur. Premtove se do ulësh taksat – gënjeve. Premtove se do ulësh çmimin e energjisë – gënjeve. Po vjen dita të largohesh gënjeshtar. Është koha për një të ardhme të re për Shqipërinë”, tha Basha.

Por edhe kjo përgjigje solli reagimin e Ramës edhe njëherë.

“Lulëzim! Sa më shumë i shmangesh sqarimit për lidhjen tende me shpifesirën e Dick Marty dhe rrekesh të fshihesh pas pllakëe së gramafonit të prishur, aq më shumë pohon se je kujdestari i dosjes së Shtëpisë së Verdhë dhe përkthyesi i maskuar i shqiptarëve tê marrë në pyetje”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë që prej ditës së djeshme pyet ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentin Ilir Meta se pse e votuan raportin e Dick Marty-t për UÇK-në. Ndërkohë për kryeopozitarin Basha thotë se ka marrë pjesë në dosjen e përgatitur për Shtëpinë e Verdhë.

Basha i ka mohuar këto akuza dhe i cilësoi shpifje të kryeministrit. /tvklan.al