“Do t’i marr demokratët nga Londra dhe do t’i ul në Kukës”

Kryeministri Edi Rama ka premtuar se do të mbajë fjalën e tij për ndërtimin e tre aeroporteve në vend. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Kryeministri Rama u zotua për ndërtimin e aeroportit të Kukësit.

“O do t’i marr 120 demokratë nga Londra dhe do t’i ul në Kukës o s’ka, mbajeni mend. Do t’i sjell në aeroport do t’i them tani shkoni votoni PD-në”.

Të njëjtin premtim, Rama bëri edhe për aeroportin e Vlorës, projekti i të cilit do të nisë së shpejti.

“Aeroporti i Vlorës u pengua nga Covidi për fat të keq. Javën e ardhshme do të fillojë procesi. Vitin e ardhshëm, nuk po jap datë tani, vitin e ardhshëm do fillojmë ndërtimin e aeroportit të Vlorës”.

Edhe Saranda do të ketë aeroport, thotë Kryeministri, dhe në fund të mandatit të tretë qeverisës, sipas tij, Shqipëria do të ketë në total 4 aeroporte bashkë me atë të Rinasit.

“Menjëherë pas mbylljes së garës për Vlorën, brenda disa javësh do shpallet gara për aeroportin e Sarandës. Dhe mandati i tretë do të mbyllet me 3 aeroporte, plus këtij që kemi, bëhen 4 aeroporte”.

Projektet do të prekin edhe portet e vendit.

Porti i Durrësit do të iki nga aty, porti i Durrësit do bëhet turistik. Do ndërtojmë portin e ri të mallrave në Porto Romano. Dhe kjo nuk do ndodhi pas 100 vjetësh, është diçka që do të fillojë shpejt. Po kështu do të kemi portin e ri turistik në Sarandë që do të fillojë ndërtimin shumë shpejt, para se mbarojë ky mandat”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.  /tvklan.al