“Premtimet e opozitës pa bazë, taksa e sheshtë e rrezikshme”

 “Mandati i tretë nuk është qëllim në vetvete, që hajt kemi dy të marrim dhe të tretin”.

Kryeministri Edi Rama thotë se forca që ai drejton i ka të qarta synimet se pse po e kërkon mandatin e tretë. Në një bashkëbisedim me qytetarë të Elbasanit, kreu i qeverisë tha se janë një sërë projektesh që duhet të finalizohen.

“Të vazhdojnë betejat, nuk mund të lihen betejat në mes. Nuk mund të lihet beteja e drejtësisë, e ekonomisë, nuk mund të lihet në mes beteja e arsimit, e shëndetësisë”.

Kreu i qeverisë nënvizon se një pjesë e projekteve nuk lidhen me fushatën elektorale.

“Njerëzit shohin këtë periudhë se ne po punojmë nga të katërta anët dhe thonë ‘a e keni lënë për fushatë’, ‘a e keni lënë pas 8 vjetëve’. Jo nuk është kështu ne punët që bëjmë sot nuk janë punë që kanë nisur sot, janë punë që kanë nisur prej kohësh”

Madje thotë se projektet janë të mirëpërcaktuara.

“Janë plane të nisura, që nga plani për të pasur 4 aeroporte, portet e reja turistike, infrastruktura e brendshme”.

Një tjetër synim i mandatit të tretë është reformimi i sistemit të taksave ku nuk lë pa shigjetuar edhe opozitën.

“Mandati i tretë të shikohet nga njerëzit si domosdoshmëria për të theksuar progresivitetin e taksës mbi të ardhura, në kohë kur kërcënohemi nga taksa famëkeqe e sheshtë. Është faktikisht një taksë për të pasurit”.

Premtimet e opozitës i quan pa bosht dhe të parealizueshme.

“Nuk mund të premtojmë që mund të ulim prodhimin e qumështit dhe të rrisin prodhimin e djathit”.

Rama u premtoi banorëve të Elbasanit se investimet në këtë qark do të vijojnë edhe në mandatin e tretë.

Tv Klan